0.3 C
Pristina
spot_img

Informacion me rendesi rreth faljes se 100 eurove te tatimit ne pronë

Date:

Share:

Pezullimi i vendimit për ndryshimet në Ligjin për Tatimin në Pronë, nga Kushtetuesja rrezikon që të humb afatet që janë paraparë për faljen e 100 euro tatim për qytetarët. Kjo pasi sipas vendimit më 30 shtator 2023 është afati i fundit për pagesën e këstit të dytë të tatimit në pronë. E Kushtetuesja më 4 shtator vendosi që vendimi për ndryshimet në këtë ligj të pezullohet deri në nëntor të këtij viti, shkruan Gazeta Express.

Kryetari i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Sazan Ibrahimi ka konfirmuar për Express se pas vendimit të gjykatës, Kuvendet Komunale nuk mund të marrin vendime që lidhen me heqjen e 100 euro nga tatimi në pronë.

“Pas pezullimit të vendimit nga Kushtetuesja, Kuvendet Komunale nuk mund të marrin vendime ose të miratojnë faljen e 100 eurove tatim në pronë”, ka thënë ai për Express.

Lidhur me këtë çështje ka reaguar edhe deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti.

Hoti tha se është duke ndodhur një kaos me pagesat e tatimit në pronë.

“Është duke ndodhur kaos me pagesat e tatimit në pronë. Masa e përkohshme, e vendosur nga Gjykata Kushtetuese, që e pezullon zbatimin e Ligjit Nr.08/L-224 lidhur me tatimin në pronë vlen deri më 30 nëntor 2023. Ndërkaq, sipas ligjit në fuqi Nr.06/L-005, më 30 shtator 2023 është afati i fundit për pagesën e këstit të dytë të tatimit në pronë. Me shumë të drejtë kemi kërkuar që faturat e rivlerësuara të tatimit në pronë të fillonin së zbatuari nga janari i vitit të ardhshëm. Arsyeja ishte e thjeshtë: u dyfishua barra tatimore për shumë qytetarë dhe biznese pa asnjë njoftim paraprak dhe kishte plot të meta sa i përket zonimit të lagjeve”, tha ai.

E vendimin e Kushtetueses e pati kritikuar ministri i Financave, Punës dhe Transfereve i Kosovës, Hekuran Murati.

Murati e cilësoi vendimin e Kushtetueses si “masë pezulluese për t’i mbrojtur komunat nga vetvetja”, në një shkrim në llogarinë e vet në Facebook.

“Madje për t’i shkuar ironisë deri në fund, paska pezulluar edhe vendimet që disa prej komunave tashmë i kanë marrë për faljen e një pjese të barrës tatimore. Krejt kjo në emër të parandalimit të ndërhyrjes në kompetenca të komunave…Pra po del ajo që pata paralajmëruar për gardën e vjetër, se qëllimin e kanë që të fshihen prapa Gjykatës Kushtetuese, se gjoja ata “do ta kishin miratuar zbritjen e tatimit, por ja që ligji është bllokuar në Gjykatë Kushtetuese”, shkroi Murati.

Më 4 shtator, Kushtetuesja e pranoi kërkesën e parashtruar nga Komuna e Prizrenit, duke vendosur masë të përkohshme deri në nëntor të vitit 2023 për nenin 5 të ligjit, derisa të merret një vendim përfundimtar.

Neni 5, veç tjerash, parashihte që çdo tatimpagues të kualifikohej për faljen e tatimit në pronë në vlerë prej 100 eurosh.

Kushtetuesja argumentoi se vendimi u mor bazuar në kompetencat vetanake të komunave, ku përfshihen edhe e drejta për mbledhjen e të ardhurave nga tatimet dhe shpenzimin e këtyre të hyrave sipas vendimit të vetë autoriteteve lokale.

“Për më tepër, vendosja e masës së përkohshme ndaj nenit 5 të ligjit të kontestuar, përkatësisht pezullimi i efekteve të tij deri në vendimmarrjen përfundimtare të Gjykatës, mundëson evitimin e cenimit të përgjegjësive komunale dhe zvogëlimit të të hyrave përkatëse komunale, në rast që Gjykata përmes vendimmarrjes përfundimtare konstaton që neni i lartcekur nuk është në përputhshmëri me Kushtetutën”, u tha në njoftimin e Gjykatës Kushtetuese.

Ligji për tatimin në pronë hyri në fuqi më 14 gusht.

Më herët gjatë këtij viti, kreu i Ministrisë të Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, kishte deklaruar se në bazë të ndryshimeve ligjore, 85 për qind e tatim-paguesve nuk do të paguanin asgjë për vitin 2023, 10 për qind të tjerë do të paguanin më pak se 100 euro dhe vetëm 5 për qind e tatimpaguesve do të paguanin më shumë se 100 euro. /

Abonohuni

━ artikuj të ngjashëm

spot_img