Arritja e lirisë financiare garanton jetën që imagjinojmë në të ardhmen tonë, por gjithashtu vendos kushtet për të jetuar siç duam në momentin aktual.
Liria financiare ka një kuptim subjektiv, varet nga lloji i jetës që imagjinojmë, nga qëllimet që i vendosim vetes. Dikush mund të dëshirojë një të ardhme pa borxhe dhe kredira, dikush tjetër një ulje të orëve të punës, ose mundësinë e kalimit nga punonjës në sipërmarrës.
Sidoqoftë, një gjë i bashkon të gjithë dhe është fakti që ne duhet të kemi një vizion “dy anësh”, të aftë të shikojmë se si jemi sot, në jetën tonë të tanishme dhe në të njëjtën kohë si do të jemi në të ardhmen, në jetën që imagjinojmë. Të dy skenarët duhet të sigurohen përmes një aftësie të menaxhimit të parave.
Të jesh në gjendje të investosh paratë e tua nuk do të thotë vetëm të shmangësh koston e konsulentit, do të thotë gjithashtu të shpëtosh nga keqkuptimi se kursimi është një formë shumë konservatore e investimit. Armiku më i madh i kursimtarit është inflacioni. Nëse nuk lejojmë që kursimet të rriten aq shumë sa norma e inflacionit, jemi duke humbur para edhe pa i shpenzuar ato.
Inkurajimi për të kursyer nuk mund të kufizohet me dëshirën për të mos shpenzuar. Inflacioni e bën koston e jetesës më të lartë në të ardhmen edhe nëse nuk i ndryshojmë zakonet në krahasim me jetën tonë aktuale. Kjo do të thotë që nëse sot e duam dhe mund të përballojmë një darkë në një restorant të mirë, nuk është e sigurt që do ta bëjmë në “skenarin e së nesërmes”. Paratë tona me siguri do të kenë një vlerë më të ulët, kështu që do të na duhet më shumë për të bërë të njëjtat gjëra.
Në nivelin makroekonomik, inflacioni konsiderohet nga ekonomistët si një forcë pozitive. Sipas studimeve të kryera nga Fondi Monetar Ndërkombëtar, me një normë të ulët dhe të qëndrueshme inflacioni ekziston një cikël frytdhënës i konsumit, pagave dhe vendeve të punës. Krijohen më shumë vende pune dhe rriten pagat.
Sidoqoftë, nëse inflacioni rritet mbi një nivel të caktuar, atëherë fuqia blerëse bie, konsumi bie dhe vendet e punës humbasin. Këtu gërryhet vlera e kursimeve. Kur bëhet fjalë për tregjet e aksioneve, zakonisht ndodh e kundërta: ato zakonisht rriten me inflacionin ndërsa të ardhurat dhe fitimet e kompanive rriten.