Më shumë se 4,000 pako të tregtisë online gjenerohen çdo sekondë në Kinë, deri në mbi 350 milionë çdo ditë, ndërsa vitin e kaluar u arrit që një person ka marrë mesatarisht më shumë se 90 pako të tilla.
Kjo industri e lulëzuar e dërgesave të pakove jo vetëm që ka ndikuar te konsumatorët kinezë, duke ndryshuar sjelljet dhe stilin e tyre të jetesës, por ka krijuar gjithashtu miliona vende pune.
Një banor i moshuar i Pekinit udhëtoi në prefekturën autonome Xishuangbanna Dai në provincën Yunnan të Kinës Jugperëndimore muajin e kaluar për t’i shpëtuar dimrit të ashpër në kryeqytetin e vendit.
Duke planifikuar të qëndronte për rreth një muaj, ai dhe gruaja e tij morën me vete dy valixhe të mëdha.
“Ne të moshuarve na pëlqen të marrim gjithçka me vete kur udhëtojmë”, tha 75-vjeçari.
Por ata harruan të paketojnë pajisjet e tyre të notit, duke përfshirë syzet speciale të notit, që i nevojiten për shkak të miopisë së tij. Në pamundësi për të gjetur syze me miopi 7.0 në qytet, ata iu drejtuan një dyqani online dhe u befasuan kur syzet mbërritën brenda një jave.
“Xishuangbanna është një zonë e largët kufitare,” tha ai. “Megjithëse po qëndrojmë në një hotel në qendër të qytetit, nuk e prisja që të merrja syzet brenda një jave. Çuditërisht ato mbërritën në ditën e tretë pas porosisë sime.
“Vajza gjithmonë na nxit të udhëtojmë lehtë dhe të blejmë atë që na nevojitet gjatë rrugës. Unë do të dëgjoj këshillat e saj herën tjetër.”, u shpreh zotëria i moshuar.
Ai tha se nëse produktet mund të dërgohen në zonat kufitare brenda disa ditësh, dërgimi në pjesë të tjera të vendit ka të ngjarë të jetë edhe më i shpejtë.
Sektori i dorëzimit të pakove të blerjeve online të Kinës trajtoi 132 miliardë ngarkesa vitin e kaluar, 19.4 për qind më shumë nga viti në vit, që përbën mbi 60 për qind të totalit global.
Ndërsa rrjeti është zgjeruar, numri i dërgesave të përpunuara në Kinë çdo vit është rritur nga mbi 10 miliardë në 2014 në mbi 100 miliardë që nga viti 2021.
Që nga marsi, rrjeti ka trajtuar më shumë se 10 miliardë pako online në muaj.
Sipas një raporti të lëshuar në nëntor nga Qendra e Zhvillimit dhe Kërkimit të Zyrës Shtetërore të Postës, rrjeti i dorëzimit të pakove të blerjeve online të Kinës tani është më shumë se 48.7 milionë kilometra i gjatë, me mbi 230,000 stacione të afta për t’u shërbyer 700 miliona klientëve në ditë.
Raporti njofton se vëllimi global i parcelave të sektorit të shpërndarjes arriti në rreth 189.2 miliardë në vitin 2022 dhe pritej të arrinte në 200 miliardë vitin e kaluar.
Në vitin 2022, të ardhurat e sektorit arritën në rreth 4.1 trilion juanë (571 miliardë dollarë), një rritje nga viti në vit prej mbi 12 përqind me vëllimin global të dërgesave për frymë që qëndron në rreth 24 parcela.
“Pas viteve të zhvillimit të shpejtë, Kina nuk është vetëm një treg lider dhe aktiv i dërgesave të shpejta, por edhe një katalizator për zhvillimin global të dërgesave të pakove të blerjeve online”, tha Wang Xibin, zëvendësdrejtor i qendrës.
Sipas Indeksit të Transportit të Pakove Pitney Bowes, Kina trajtoi 110.6 miliardë pako në vitin 2022, ndërsa Shtetet e Bashkuara trajtuan 21.2 miliardë, Japonia 9.1 miliardë dhe Mbretëria e Bashkuar 5.1 miliardë. Ai shtoi se rritja e vëllimit të pakove në Kinë në vitin 2022 u ndikua ndjeshëm nga mbylljet e lidhura me COVID në Shanghai.
Por Kina ndryshoi strategjinë e saj të menaxhimit të COVID-19 vitin e kaluar dhe hoqi kufizimet e udhëtimit, duke rezultuar në rritje dyshifrore në vëllimet e pakove.
Në konferencën vjetore të sektorit në Pekin muajin e kaluar, Zhao Chongjiu, kreu i Zyrës Shtetërore të Postës, tha:
“Vitin e kaluar, sektori i shpërndarjes së parcelave përmirësoi aftësinë e tij për të siguruar qarkullim të qetë, rriti efikasitetin dhe aftësinë e tij për të trajtuar pakot dhe rriti zhvillimin e ofrimit inteligjent.”
Posta e parë e shpejtë e Kinës u dorëzua nga shërbimi i postës së shpejtë të Kinës në vitin 1980. Në vitin 1993, STO Express, kompania e parë private e dërgesave të pakove në Kinë, u themelua në Hangzhou, Zhejiang. Në të njëjtin vit, SF Express, një tjetër kompani e madhe e dërgesës së parkove, u krijua në Shunde, në provincën Guangdong.
Me kalimin e viteve, shërbime të tilla janë përmirësuar, duke u bërë më të shpejta, më të sigurta, më të përshtatshme dhe duke u shtrirë në shumicën e territorit të Kinës.
Një qendër automatike e klasifikimit SF Express që u hap në Pekin vitin e kaluar mund të trajtojë deri në 1.5 milion pako në ditë. Ndërsa parkot e madhësive dhe destinacioneve të ndryshme lëvizin përgjatë rripave në qendër, ato skanohen dhe vendosen automatikisht në çantat e duhura, duke përmirësuar ndjeshëm efikasitetin.
Kompanitë e tregtisë elektronike gjithashtu ruajnë produktet në depo në të gjithë vendin për të përshpejtuar kohën e dorëzimit.
Në tetor, një kliente nga Qingdao, provinca Shandong, porositi një xhaketë me postë në internet. Për habinë e saj, ajo e mori atë vetëm gjashtë orë më vonë, në dorëzimin e pakos së 100 miliardë të vitit në Kinë. Xhaketa ishte prodhuar në Changshu, provincën Jiangsu dhe ishte vendosur paraprakisht në një magazinë në Qingdao.
Përpara Festës së Pranverës të këtij muaji, shumë kinezë kanë zgjedhur të blejnë dhe dërgojnë dhuratat e tyre të pushimeve në shtëpi duke përdorur sistemin e dërgesës së pakove të blerjeve online.
Në të kaluarën, njerëzit i vendosnin bagazhet e mbushura me dhurata në trena, aeroplanë, makina dhe anije, ndërsa udhëtonin në shtëpi për festën.
Një banore e Shangait, e cila do të kalojë pushimet në provincën Hainan të Kinës Jugore, ka dërguar dy pako në shtëpinë e saj të pushimit, me detyrat e shtëpisë së djalit të saj dhe dyshekun e saj të jogës. “Unë madje dërgoj rroba dhe dhurata në shtëpi gjatë udhëtimeve të punës,” tha ajo.
Kina tani ka rreth 5 milionë korrierë, shumë prej të cilëve vijnë nga zonat rurale.
Song Yufeng filloi të punonte si korriere në Jiayuguan, provincën Gansu në vitin 2014. Fleksibiliteti i punës i mundësoi asaj të kujdesej për bashkëshortin e paralizuar, vjehrrin, që vuante nga demenca senile dhe djalin e saj student. “Unë nuk kisha një mbështetje të fortë. Në atë kohë, ishte e vetmja punë me pagë të mirë që mund të mbante familjen,” tha ajo.
Song ishte një grua shtëpiake, derisa burri i saj u plagos rëndë në një aksident pune në vitin 2009. Më pas ajo provoi punë të ndryshme, si drejtimi i një restoranti të vogël, por asnjëra nuk ishte e qëndrueshme si punë. Ajo tha se është mirënjohëse që është një korriere, pasi e konsideron si sfidë.
Zeng Junshan, drejtor i Departamentit të Politikave dhe Rregullimit të Zyrës, tha se industria e dorëzimit të pakove të Kinës ka krijuar një formulë të suksesshme dhe është bërë një markë e njohur për Kinën në skenën globale.
“Fjala kyçe për fazën tjetër është të lidhemi më mirë me botën dhe të përpiqemi për të ndërtuar një sistem më të sigurt, më të përshtatshëm, efikas, të gjelbër, ekonomik, gjithëpërfshirës dhe elastik të dërgesave ekspres të qëndrueshme,” tha ai.
“Ky sistem synon të lidhë më mirë zonat urbane dhe rurale, të integrojë prodhimin dhe jetën, të komunikojë brenda dhe jashtë vendit dhe të arrijë në të gjitha cepat e botës, duke promovuar transportin e qetë të mallrave.”
Wei Jigang, studiues në Qendrën Kërkimore të Zhvillimit të Këshillit të Shtetit, tha:
“Qëllimi përfundimtar për zhvillimin e sektorit të dërgesës së pakove është të zgjerojë rrjetin në çdo cep dhe të ofrojë të gjitha llojet e produkteve për të gjithë njerëzit, pavarësisht nga vendndodhja e tyre.”Sektori synon të trajtojë 142.5 miliardë ngarkesa këtë vit.
Zhao, kreu i Zyrës Shtetërore të Postës, përshkroi strategjinë e zhvillimit të sektorit, objektivat dhe prioritetet e punës për vitin 2024 në konferencën e muajit të kaluar.
Ai theksoi se rrjeti i shpërndarjes së pakove dhe sistemi logjistik i vendit do të përmirësohen më tej, me fokus ndërtimin e infrastrukturës kryesore dhe rritjen e aftësive të transportit të mallrave nga ajri dhe rrugët.
Gjithashtu do të inkurajohet përdorimi i hekurudhave të shpejtësisë së lartë për dërgimin e pakove dhe promovimi i transportit shumëmodësh.
Rrjeti dhe cilësia e shërbimit në zonat rurale do të përmirësohet gjithashtu, me autobusët e planifikuar të pasagjerëve që do të përdoren për të zgjidhur problemin e shpërndarjes së “kilometrit të fundit” në zonat rurale.
Zhao tha se një tjetër synim kryesor për sektorin e shpërndarjes së pakove këtë vit është zhvillimi i gjelbër, me kompanitë që do të nxiten të përdorin më shumë automjete të reja me energji për transportin e pakove të blerjeve online.