Klubi i Biznesit ka shënuar një vjetorin e themelimit. Ideja e kamotshme për një klub të tillë, u bë e mundshme nga kontributi i pashoq i anëtarëve themeltarë, që përfaqësojnë 6 nga korporatat lidere në vend.
Me qëllim të ndërtimit të një platforme bashkëpunimi, jo vetëm ndërmjet kompanive kosovare por edhe atyre që operojnë nëpër botë, Klubi i Biznesit tanimë po shënon sukseset e veta.
Shtrirja globale e këtij Klubi e vë atë në një pozicion të veçantë për ta realizuar këtë synim.
“Është kënaqësi e veçantë që sot kur po i mbushim një vit, tanimë mund të flasim për suksese. Edhe pse një vit sfidues për ekonominë e Kosovës, ne shikojmë nga e ardhmja sepse ajo është padyshim e begatë. Ne si Klub i Biznesit do të luajmë rolin tonë në këtë rrugëtim, duke ofruar partneritet për gjithsecilin që ka synim fuqizimin e ekonomisë së vendit përmes një roli udhëheqës të sektorit privat”, tha Ilir Ibrahimi, drejtor menaxhues i Klubit të Biznesit.
Duke shikuar nga e ardhmja, ai ka thënë se Klubi i Biznesit ka plane ambicioze para vetes për ta rritur edhe më tej anëtarësinë, për të organizuar evente të specifikuara për industri të ndryshme, dhe për të rritur promovimin dhe realizimin e investimeve në Kosovë, dhe për t’u bërë një adresë e dëshiruar për sipërmarrësit e rinj dhe mbi të gjitha të jetë një zë i fuqishëm i sektorit privat.
Në njoftimin për media, thuhet se sot kur Klubi i Biznesit po feston një vjetorin, është e qartë se është më shumë se një grup rrjetëzues i bizneseve, sepse ai më tepër është një komunitet vibrant i vendosur për një qasje inovative drejt suksesit në nivel global.