2.3 C
Pristina
spot_img

Kontraditat e zyrtarëve dhe opozitarëve rreth investimeve kapitale

Date:

Share:

Këto ditë, në përmbyllje të 2023-tës dhe në fillim të 2024-tës, bien në sy të dhënat shumë kontradiktore dhe pakrahasimisht të dallueshme të opozitës dhe të mazhorancës rreth realizimit të investimeve kapitale gjatë vitit që e lamë pas. Sipas opozitarëve, por edhe disa analistëve të çështjeve zhvillimore, të afërt me pikëpamjet e subjekteve në opozitë, shkalla e investimeve kapitale edhe më 2023 mbetet e ulët dhe si e tillë, edhe me ndikim negativ në ecuritë afariste të bizneseve të vendit dhe në rritjën e tërësishme ekonomike. Ndërkohë, mazhoranca në pushtet, autoritetet e saj, shpërfaqin në publik, të dhëna krejtësisht të tjera, të cilat ndryshojnë edhe në numra, por edhe në përqindje për investimet e realizuara kapitale më 2023, që flasin, direkt dhe indirekt për suksese edhe në këtë sektor të dikastereve aktuale qeveritare.

Në Kosovë, në përgjithësi, manipulohet me të dhëna kontradiktore rreth objektivave zhvillimore. Dallimet janë evidente dhe të theksueshme, sidomos te përdorimi i të dhënave (shifrave) për të paraqitur ndonjë të arritur, apo dështimet e caktuara në sektorë të ndryshëm të ekonomisë nga subjektet politike dhe përkrahësit e një partie politike, qoftë në pozitë, qoftë opozitare. Nga përfaqësuesit e partive opozitare, gjithmonë dominojnë shifrat nihiliste, ato që paraqesin dështimet në përmbushjen e parashikimeve dhe vizioneve ekonomike, ndërsa të subjekti politik në pushtet, janë gjithëherë të shpërfaqura të dhënat që flasin për të arriturat në përmbushjen e objektivave, të dhënat e hiperbolizuara dhe sosh të nxjerra nga konteksti i ndonjë llogarie që do dëshmonte suksesin dhe numra që flasin tejdukshëm për nivele false dhe fiktive të rezultateve të arritura.

Këto ditë, në përmbyllje të 2023-tës dhe në fillim të 2024-tës, bien në sy të dhënat shumë kontradiktore dhe pakrahasimisht të dallueshme të opozitës dhe të mazhorancës rreth realizimit të investimeve kapitale gjatë vitit që e lamë pas.

Sipas opozitarëve, por edhe disa analistëve të çështjeve zhvillimore, të afërt me pikëpamjet e subjekteve në opozitë, shkalla e investimeve kapitale edhe më 2023 mbetet e ulët dhe si e tillë, edhe me ndikim negativ në ecuritë afariste të bizneseve të vendit dhe në rritjen e tërësishme ekonomike. Ndërkohë, mazhoranca në pushtet, autoritet e saj, ndër ta edhe ministra të sektorëve të caktuar zhvillimore, shpërfaqin në publik mospajtime me vështrimet dhe të dhënat e opozitës, duke paraqitur të dhëna krejtësisht të tjera, të cilat ndryshojnë edhe në numra, por edhe në përqindje për investimet e realizuara kapitale më 2023, që flasin, direkt dhe indirekt për suksese edhe në këtë sektor të dikastereve aktuale qeveritare.

Kështu, sipas të dhënave të ministrit të Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, të paraqitura në konferencën për media përmbyllëse të vitit 2023, të mbajtur më 28 dhjetor, nga 820 milionë eurot e ndara për projekte kapitale në Kosovë (shuma e mjeteve për projekte kapitale për nivelin qendror ishte 604 milionë euro, ndërsa për nivelin lokal 216 milionë), në vitin 2023, u shpenzuan 560 milionë. Dhe, pjesa më e madhe e tyre, sipas tij, u ekzekutua në gjashtëmujorin e dytë të vitit, për shkak të hezitimit të kompanive punëkryese për t’u angazhuar në fillim të vitit, kur çmimet e lëndës së parë dhe të materialeve ndërtimore ishin më të shtrenjta.

Murati para përfaqësuesve të medies tha se projektet në të cilat u investua, përfshijnë: rrugë lokale, kanalizime, kanale të ujitjes, çerdhe, objekte spitalore, digjitalizim të sistemit të arsimit e të tjera, pa specifikuar se në cilat komuna është investuar, e as shumën e investimeve nëpër komuna.

Edhe deputeti nga VV-ja, Armend Muja, një njohës i zhvillimeve ekonomike, thotë për medie se trendi i investimeve kapitale është në rritje.

“Kosova vitin 2023 ka rreth 600 milionë euro investime kapitale që janë investimet më të larta kapitale ndonjëherë në Kosovë kanë arrit këtë vit. E vetmja shifër e përafërt mund të jetë rreth 528 milionë euro që ka qenë në vitin 2013, mirëpo viti 2023 mendoj se e arrin rekordin e investimeve kapitale”, ka thënë ai.

Ndërsa, sipas zëvendësministrit të Infrastrukturës, Hysen Durmishi, “nuk ka rënie të investimeve në pesë vitet e fundit, por ka rritje”.

Sipas disa të dhënave qeveritare, deri në shtator të vitit 2023, shkalla e investimeve kapitale ka arritur 35 për qind. Dhe të dhënat e shpërfaqura më sipër nga përfaqësues të pushtetit janë tërësisht të ndryshme nga ato të opozitarëve, por edhe nga disa institucione të pavarura, që në fushëveprimtarinë e tyre kanë proceset ekonomike dhe sociale. Kështu, sipas Institutit GAP, trendi i investimeve kapitale në pesë vitet e fundit ka shënuar rënie.

Të dhënat e këtij Instituti për investimet kapitale në gjashtëmujorin e parë të 2023-tës, flasin se niveli qendror ka realizuar investime kapitale 17 për qind, ndërsa ai lokal 22 për qind. GAP vlerëson se miliona euro shkuan për projekte të vjetra.

Ndërsa, sipas disa përfaqësuesve të opozitës, shuma të mëdha parash, të destinuara për investime kapitale, u ndanë si “lëmoshë”.

Në raportin e GAP-it, të publikuar në dhjetor të vitit të kaluar, thuhet se me buxhetin e vitit 2023, dhjetëra miliona euro u ndanë për projekte kapitale, të cilat kishin filluar disa vite më parë, duke saktësuar se “mbi 22 milionë euro u ndanë për zgjerimin dhe rehabilitimin e rrugës magjistrale Prishtinë – Mitrovicë, që nisi në mars të vitit 2010, ndërsa 20 milionë u ndanë për rehabilitimin e linjës hekurudhore Fushë Kosovë-Han i Elezit – projekt ky i nisur qysh në vitin 2016”.

Duke analizuar periudhën nëntëmujore të 2023-tës, GAP-i ka konstatuar se deri në shtator të vitit 2023, për projekte kapitale u shpenzuan vetëm 263.7 milionë euro, si nga niveli qendror, ashtu edhe ai lokal. Ose, nga kjo shumë, 163.5 milionë euro u shpenzuan nga ministritë dhe institucionet tjera shtetërore, ndërsa 100.2 milionë nga komunat. Ndërsa, në të dyja nivelet, mbi 1.700 projekte të parapara kapitale, as që nisën fare.

Siç dihet, me Ligjin për Buxhetin e vitit 2024, i miratuar më 14 dhjetor 2023, buxheti i sivjetshëm do të jetë 3,3 miliardë euro, ndërsa nga kjo shumë, mbi 850 milionë euro parashihen për shpenzime kapitale.

Ndërsa, në raportin e GAP thuhet se 83 për qind e shumës së buxhetit për investime kapitale në vitin 2024 do të jenë për vazhdimin e projekteve të mëhershme dhe 17 për qind janë të planifikuara për projekte të reja.

Ndërkohë, kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafuna, ka thënë se buxheti vazhdon të mos shpenzohet në dinamikën që është paraparë me Ligjin e buxhetit, duke shtuar se “duhet të ketë një planifikim më të mirë të projekteve dhe një parashikim më të mirë të implementimit të shpenzimeve kapitale”.

Rafuna vlerëson se problemi qëndron te shpenzimet, respektivisht, që “mjetet e parapara për investime kapitale nuk shpenzohen në dinamikën që është paraparë me ligjin e buxhetit”. Ai saktëson se “nëse bëhet krahasimi i mjeteve të shpenzuara të planifikuara për investime kapitale ndërmjet këtij viti dhe vitit 2022, del se shpenzimet e këtyre mjeteve janë të rritura paksa, mirëpo nëse krahasohen mjetet e tërësishme të planifikuara për investime kapitale, mbi 800 milionë, dhe ato të realizuara, nuk arritën ende në 400 milionë euro, që deri në fundvit investimet kapitale nuk kanë arritur as nivelin 50 për qind.

Edhe koordinatori për Financa në kuadër të Kabinetit për Qeverisje të Mirë të PDK-së, Arben Mustafa, ka thënë se buxheti për vitin 2024 nuk do t’i mundësojë Kosovës zhvillim ekonomik dhe përmirësim të jetës së qytetarëve. Sipas tij, me buxhetin për vitin 2024, Qeveria Kurti tejkalon 10 miliardë euro buxhet në administrim për katër vite, e përmes të cilit nuk ka arritur të realizojë asnjë projekt të madh për vendin.

“Kjo qeveri, ashtu siç e filloi mandatin, ashtu dhe po shkon drejt fundit të mandatit të saj qeverisës, duke bartur paratë e qytetarëve të Kosovës nga dora në dorë, por pa lënë asnjë gjurmë substanciale në përmirësimin e kushteve të jetesës për qytetarët e vendit. Pra, për katër vite qeverisje, kjo Qeveri pritet t’i shpenzojë deri në fund të mandatit mbi 10 miliardë euro taksa të qytetarëve, por nuk ka realizuar asnjë projekt madhor për qytetarët e vend”, ka thënë ai.

Kurse, kreu i LDK-së, Lumir Abdixhiku, duke hedhur akuza të rënda për huqjen e investimeve kapitale gjatë kësaj qeverisje, kohë më parë kishte thënë se “Kosova ka nevojë për zhvillim; e zhvillimi nuk mund të reduktohet në disa transakcione bankare të skemave sociale”.

Edhe përfaqësuesit e LDK-së, në një tryezë me temën “Projekt-buxheti i Republikës sё Kosovës pёr vitin 2024”, të mbajtur këto dittë nga Grupi Parlamentar i kësaj partie kanë thënë se “ndonëse jemi në vitin e fundit të kësaj Qeverie, nuk ka pasur asnjë projekt madhor zhvillimor”, ndërsa edhe buxheti për vitin 2024, sipas tyre, nuk përbën zhvillim ekonomik.

“Mungojnë projektet zhvillimore dhe ideja se si të qeveriset vendi. Jemi në vitin e fundit të kësaj Qeverie dhe nuk kemi asnjë projekt madhor zhvillimor, kryesisht është marrë me çështje sociale”, u shprehën LDK-istët, duke shtuar se “kur kanë qeverisur ata, 36% e buxhetit është shpenzuar për investime kapitale”.

Në anën tjetër, ministri i Financave dhe Transfereve,Hekuran Murati, sot gjatë ditës ka thënë se kategoria e Investimeve Kapitale është kategoria që është rritur më së shumti në vitin 2023, me 32% më shumë sesa viti 2022.

Sidoqoftë, në gjithë këto të dhëna të zyrtarëve aktual të shtetit dhe përfaqësuesve të opozitës, gjithsesi, shumë kontradiktore, diku domosdo qëndron e vërteta për investimet kapitale. Ajo duhet kërkuar dhe do të dalë sheshit ndonjëherë. /Buletini Ekonomik

Abonohuni

━ artikuj të ngjashëm

spot_img