FRANSHIZA
Hyrje
Koncepti i Franshizës është relativisht i ri për Kosovën. Franshiza ka filluar të bëhet pjesë e ekonomisë së vendit gjatë dekadës së fundit. Më së pari është prezantuar nga franshizat e huaja (McDonald’s) dhe akoma konsiderohet si lloj i biznesit të huaj. Karakteristika kryesore e franshizave është se aktualisht nuk ka rregullim ligjor specifik për to. Disa dispozita të marrëveshjeve të franshizave gjenden në disa ligje të veçanta siç janë ligji për mbrojtjen e konkurrencës. Për këtë arsye, marrëveshja e franshizës shpesh përmban elemente të kontratave të tjera siç janë kontrata e shitblerjes, kontrata e licencës, kontrata e qirasë, kontrata e distribuimit, kontrata e huasë, kontrata mbi vepër etj. Prandaj, përveç rregullave të përgjithshme të Ligjit për Marrëdhënie të Detyrimeve, aplikohen edhe ligjet e veçanta (lex specialis) të cilat qeverisin çështjet që përfshijnë këto kontrata të franshizës. Përkundër faktit se akoma nuk ka legjislacion specifik që rregullon franshizat, megjithatë mund të identifikohen disa elemente kryesore të kontratës së franshizës. Përmbajtja dhe konfigurimi i kontratave të franshizës është ndikuar në masë të madhe nga praktika afariste dhe rregullat për mbrojtjen e konkurrencës.
Natyra dhe fushëveprimi i të drejtave që burojnë nga kontratat e franshizës dhe marrëdhënia mes palëve të kontratës së franshizës
Përkufizimi
Nuk ka ndonjë përkufizim ligjor të marrëveshjeve të franshizës. Një përkufizim mund të nxjerret nga ligji për mbrojtjen e konkurrencës dhe nga literatura. Nga këndvështrimi i ligjit për mbrojtjen e konkurrencës, franshizë nënkupton një marrëveshje vertikale ku njëra palë, franshizë dhënësi i ofron palës tjetër franshizmarrësit në këmbim të një apo më shumë pagesave, të drejtën e përdorimit të franshizës që përfshinë pakon e të drejtave të pronësisë industriale dhe intelektuale për qëllime prodhimi dhe/apo marketingu të produkteve apo shërbimeve të caktuara. Pakoja e të drejtave të pronësisë intelektuale dhe industriale përfshinë emrat dhe markat tregtare apo shenjat, know-how, modelet, dizajnet, të drejtat e autorit, njohuritë industriale apo patentat për përdorim dhe distribuim të produkteve të kontratës tek shfrytëzuesit e fundit.
Elementet bazike të kontratës së franshizës
Marrëveshja e franshizës është një marrëveshje e ndërlikuar dhe përbëhet prej shumë elementeve të cilat duhet të negociohen paraprakisht në një të ashtuquajtur ‘’pako të marrëveshjes’’. Elementet kryesore të kësaj marrëveshje janë:
- Dhënia e të drejtave për të përdorë franshizën, metodat afariste, know-how (kjo e fundit përfshinë të drejtat e pronësisë intelektuale dhe industriale);
- Dhënien e të drejtës për përdorimin dhe/apo distribuimin e produkteve, përfshirë shitjen e produkteve (kontratë distribuimi) në një territor të caktuar;
- Dhënien e të drejtës për shfrytëzimin e pakos të të drejtave të pronësisë intelektuale dhe industriale në lidhje me emrin, markat tregtare, shenjat, modelet, dizajnet, të drejtat e autorit, njohurinë industriale apo patentën;
- Ofrimin e asistencës komerciale dhe teknike gjatë kohëzgjatjës së kontratës së franshizës;
- Kontrollimin e përdorimit të franshizës;
- Pagesën e tarifës financiare të drejtpërdrejtë apo të tërthortë të franshizës-pagesat për dhënësin e franshizës.
Përveç këtyre, palët mund të merren vesh edhe për çështje tjera siç janë ekskluziviteti, klauzola e nënfranshizës etj. Për vlefshmërinë e kontratës së franshizës duhet të plotësohen kushtet e përgjithshme dhe të veçanta të kontratave të cilat burojnë nga Ligji për Marrëdhënie të Detyrimeve.
Natyra e marrëdhënies juridike mes palëve në kontratën e franshizës
Në një kontratë të franshizës të dy palët janë të barabarta dhe të pavarura nga njëra tjetra pasi që të dyja palët veprojnë në emër dhe dobi të vet. Është një kontratë sui generis dhe pa emër meqë nuk parashihen dispozita specifike në lidhje me këtë kontratë, prandaj palët janë të lira që me vullnetin e tyre të lirë të përcaktojnë formën dhe strukturën e kontratës dhe t’ia përshtatin atë nevojave specifike afariste. Dispozitat imperative të Ligjit për Marrëdhënie të Detyrimeve dhe çfarëdo ligji tjetër të veçantë duhet të merren parasysh nga palët kontraktule, dhe në mungesë të rregullimit ligjor në lidhje me një çështje specifike në kontratë, ligj për palët është vet kontrata.
Llojet e kontratave të franshizës
Sipas literaturës, një klasifikim i kontratave të franshizës mund të bëhet sipas objektit të tyre. Sipas këtij kriteri, kontrata e franshizës mund të jetë:
- Franshizë industriale që ka të bëjë me prodhimin dhe shitjen e mallrave sipas të drejtave të pronësisë intelektuale/industriale të dhënësit të franshizës;
- Franshizë distribuimi që ka të bëjë vetëm me shitjen (jo prodhimin) e mallrave (me emrin tregtar dhe shenjat e dhënësit të franshizës), dhe
- Franshizë shërbimi që ka të bëjë me ofrimin e shërbimeve po ashtu në pajtim me të drejtat e pronësisë intelektuale/industriale të dhënësit të franshizës dhe nën emrin, markën tregtare apo shenjën e dhënësit të franshizës.
Kohëzgjatja e kontratës dhe kushtet e ripërtërirjës
Nuk ka dispozita specifike në lidhje me kohëzgjatjen e kontratës së franshizës sipas legjislacionit të Kosovës, por duke u nisë nga natyra juridike e kontratës së franshizës dhe fakti se marrësi i franshizës do të ketë nevojë për më shumë kohë për të zhvilluar dhe kthyer investimet, pritet që marrëveshja e franshizës duhet të lidhet për një periudhë më të gjatë kohore. Marrëveshjet e franshizës mund të lidhen për një kohë të caktuar dhe një kohë të pacaktuar. Marrëveshjet e franshizës të cilat lidhen për një kohë të caktuar, ndërpriten në ditën e fundit të paraparë në marrëveshje, përveç nëse palët janë marrë vesh ndryshe apo nëse parashihet ndryshe me ligj. Nëse palët vazhdojnë ta zbatojnë kontratën në mënyrë reciproke edhe pas skadimit të afatit të paraparë në kontratë konsiderohet se palët kanë lidhë marrëveshje të franshizës për një kohë të pacaktuar. Palët mund të merren vesh për ripërtërirjen e marrëveshjes së franshizës dhe mund të ri-negociojnë tarifat dhe kushtet tjera kontraktuale, dhe këto negociata duhet të ndodhin para datës së skadimit të paraparë në kontratë.
Marrëveshjet e franshizës të cilat lidhen për një kohë të pacaktuar, sipas LMD-së mund të ndërpriten nga cilado palë në çfarëdo kohe duke i dhënë njoftim palës tjetër në një kohë të arsyeshme për qëllimin e ndërprerjës, dhe palët këtë mund ta bëjnë duke i cekur ose mos i cekur arsyet për ndërprerje të tillë.
Çështjet financiare
Sipas praktikës afariste, marrësi i franshizës duhet t’i paguaj dy lloje të tarifave:
- Tarifa fillestare e franshizës- e cila duhet të përcaktohet në marrëveshjen e franshizës dhe në substancë përbënë pagesë fillestare për përdorimin e metodës afariste të dhënësit të franshizës. Zakonisht kjo është një tarifë fikse që përfshinë të drejtat e licencuara dhe të transferuara, përfshirë asistencën e ofruar dhe trajnimin për themelimin e biznesit.
- Tarifat e vazhdueshme të franshizës- këto paguhen në baza periodike gjatë tërë kohëzgjatjës së kontratës së franshizës për përdorimin e vazhdueshëm të të drejtave të pronësisë intelektuale/industriale, eksploatimin e franshizës, dhe asistencën e vazhdueshme të dhënësit të franshizës. Këto tarifa zakonisht kalkulohen në bazë të përqindjës së qarkullimit të marrësit të franshizës dhe mund të kalkulohet në baza tre mujore, gjashtë mujore ose vjetore.
Gjatë përcaktimit të tarifave të franshizës merren parasysh edhe politikat fiskale të vendit të marrësit të franshizës pasi që fitimet nga franshiza tatimohen.
Roli i dhënësit të franshizës
Varësisht nga objekti i kontratës së franshizës, dallojnë edhe obligimet dhe të drejtat reciproke të palëve. Shumica e obligimeve të cilat i përmban marrëveshja e franshizës konsiderohen si të domosdoshme për mbrojtjen e të drejtave të pronësisë intelektuale/industriale apo për ruajtjen e identitetit dhe reputacionit të rrjetit të franshizave.
Obligimet e palëve në një kontratë të franshizës ndahen në tri grupe:
- Obligimet parakontraktuale
- Gjatë kohëzgjatjës së kontratës – Pas ndërprerjës së kontratës.
Para lidhjës së kontratës, dhënësi i franshizës ka për obligim që marrësin e franshizës ta pajisë me informacione të nevojshme në lidhje me biznesin e vet dhe përvojën e vet, rrjetin e franshizave dhe përvojën në treg, know-how relevante, të drejtat e pronësisë intelektuale/industriale, kushtet financiare dhe kushtet e tjera të kontratës (obligimi parakontraktual). Një detyrim i tillë buron edhe nga LMD.
Pas lidhjës së kontratës, obligimet e dhënësit të franshizës mund të përmblidhen si në vijim:
- Obligimi për t’i dhënë të drejta marrësit të franshizës në metodat afariste apo know-how që janë të nevojshme për të zhvilluar biznesin sipas marrëveshjes së franshizës;
- Obligimi për t’i dhënë të drejta marrësit të franshizës për të përdorë dhe distribuojë produkte, përfshirë shitjen e produkteve në një territor të caktuar (qytet, regjion, shtet etj.);
- Obligimi për t’i dhënë marrësit të franshizës të drejtën për të përdorë të drejtat që burojnë nga prona intelektuale/industriale;
- Obligimi për t’i ofruar marrësit të franshizës asistencë komerciale apo teknike gjatë kohëzgjatjës së kontratës.
- Obligimi për t’i dhënë marrësit të franshizës informacione gjatë tërë kohëzgjatjës së kontratës së franshizës në lidhje me zhvillimet më të reja në treg, produktet e reja, karakteristikat e tyre, çmimet dhe kushtet etj.
- Obligimi për të kontrolluar përdorimin e franshizës nga ana e marrësit të franshizës gjatë tërë kohëzgjatjës së franshizës.
Roli i marrësit të franshizës
Edhe obligimet e marrësit të franshizës ndahen në obligime parakontraktuale, gjatë kohëzgjatjës së kontratës dhe pas ndërprerjes së kontratës. Marrësi i franshizës ka këto obligime:
- Obligimi për të ruajtur fshehtësinë e metodës afariste dhe know-how në pajtim me marrëveshjen e franshizës në territorin e dakorduar dhe për qëllimin e dakorduar;
- Obligimin për të përdorë dhe shpërndarë produktet, përfshirë shitjen e produkteve në territorin specifik në pajtim me marrëveshjen e franshizës;
- Obligimin për të përdorë pakon e të drejtave të pronësisë intelektuale/industriale të dhënësit të franshizës në pajtim me marrëveshjen e franshizës;
- Obligimin për ta pranuar asistencën e ofruar nga dhënësi i franshizës dhe për të zhvilluar franshizës konform kësaj asistence dhe udhëzimeve të dhënësit të franshizës;
- Obligimin për t’ia lejuar dhe për të mos e penguar marrësin e franshizës që të bëjë kontrollimin e përdorimit të franshizës sipas marrëveshjes;
- Obligimin për të paguar tarifat e parapara në marrëveshjen e franshizës.
FAKTORINGU
Njësojë sikurse te kontrata e franshizës, as për faktoringun nuk ka ndonjë rregullim specifik ligjor. Bashkë me kontratën e franshizës konsiderohen si kontrata moderne komerciale që gjejnë përdorim të gjërë. Është kontratë pa emër që është zhvilluar nga praktika afariste dhe qeveriset kryesisht nga legjislacionet në fushën e të drejtës bankare dhe financiare.
Kuptimi i faktoringut
Marrëveshja e faktoringut është një marrëveshje e arritur mes njërë palë që njihet si Shitësi apo Ofruesi i të drejtave dhe palës tjetër të njohur si Faktor sipas të cilës ofruesi shet dhe i kalon borxhet (arkëtimet) e veta që dalin nga marrëveshjet e shitblerjes së mallrave/shërbimeve të lidhura me personat e tretë në këmbim të pagesës me qëllim të financimit të biznesit të vet.
Edhe marrëveshja e faktoringut është një marrëveshje e ndërlikuar dhe përbëhet prej elementeve të ndryshme:
- Parakontratës që obligon palët për të hyrë në kontratën kryesore o Parakontrata nënkupton se ofruesi dhe faktori arrijnë marrëveshje para kontraktuale sipas të cilës ofruesi ndërmerrë obligimin që t’i ofrojë faktorit të gjitha apo disa prej arkëtimeve të veta (borxheve) që dalin nga marrëveshjet e shitblerjes së mallrave/shërbimeve të lidhura me persona të tretë, ndërsa faktori ndërmerrë obligim që t’i blejë këto borxhe nëse ai mendon se qëndrueshmëria financiare e debitorëve është e mirë. Në mënyrë që parakontrata të jetë e vlefshme, duhet t’i përmbajë qartazi kushtet e kontratës kryesore dhe objekti i faktoringut duhet të jetë i caktuar apo i caktueshëm.
- Kontratës kryesore e lidhur në mes të ofruesit dhe faktorit o Kontrata kryesore zakonisht lidhet kur borxhet të jenë caktuar dhe/apo kur ato të jenë bërë ekzistente. Zakonisht, ofruesi bënë një ofertë duke ia dërguar faktorit një faturë me një borxh të caktuar dhe afat pagese. o Baza ligjore për borxhet (arkëtimet) mund të jetë çfarëdo marrëveshje por në praktikë më të zakonshmet janë kontratat e shitblerjes.
- Faktori zakonisht është i gatshëm për të blerë borxhe nga ofruesi, para afatit të pagesës dhe për një çmim më të ulët se sa vet borxhi. Këtu faktori e ruan të drejtën për të kërkuar blerjen mbrapa të borxheve të papaguara nga ana e ofruesit, kështu që ofruesi e mban rrezikun e pagesës së borxhit përfundimtar.
- Është po ashtu e mundur që palët të merren vesh të mos e përfshijnë klauzolen e blerjës mbrapa të borxheve dhe në këtë rast është faktori ai i cili e mban rrezikun e pagesës së borxheve.
- Marrja përsipër e borxheve nga shitësi në faktorin është element kyç i faktoringut.
- Zakonisht, legjislacionet e vendeve të ndryshme lejojnë marrjën përsipër të tërësishme ose individuale të borxheve të tanishme dhe të ardhshme. Kjo bëhet me kontratë cedimi.
- Kalimi i të drejtave bëhet përmes marrëveshjes mes ofruesit dhe faktorit prandaj aprovimi i debitorit nuk është kusht për vlefshmërinë e marrjës së borxhit (sipas LMD-se tek marrja përsipër e borxhit);
- Njoftimi i marrjës përsipër të borxhit duhet t’i jepet debitorit në mënyrë që marrja përsipër e borxhit të mund të jetë ligjërisht i detyrueshëm për debitorin. Nëse njoftimi nuk është dhënë, dhe debitori nuk ka njohuri në lidhje me marrjën përsipër të borxhit, debitori do të lirohet nga obligimi karshi kreditorit të ri.
- Marrja përsipër e borxheve nuk mund të jetë e vlefshme kundrejt debitorit nëse në kohën e lidhjës së kontratës së shitblerjës, ofruesi dhe debitori janë marrë vesh në kontratë për ndalimin e kalimit të të drejtave të tilla ose nëse e kanë paraparë si kusht marrjën e pëlqimit paraprak nga ana e debitorit.
Palët në kontratën e faktoringut
Nga literatura dhe praktika afariste mund të thuhet se palë në kontratë të faktoringut janë:
- Shitësi apo ofruesi i të drejtave– mund të jetë çdo person fizik apo juridik apo entitet që ka të drejtë të lidhë kontratë dhe të hyjë në transaksione të tjera ligjore;
- Debitori – mund të jetë çdo person fizik apo juridik që ka aftësi ligjore për të hyrë në marrëveshje dhe transaksione tjera ligjore,
- Faktori– duhet të jetë person juridik, një bankë ose institucion tjetër financiar- i regjistruar dhe i licencuar për të kryer veprime faktoringu.
Burim materiali: Civil Law Forum for South East Europe: Collection of Studies and Analyses, First Regional Conference, Cavtat 2010, Volume III