Këto ditë, më saktësisht më 31 tetor 2023 është mbajtur Konferenca përmbyllëse: “Diskriminim e mospërfshirje: Shkeljet ndaj punëtorëve në sektorë të ndryshëm në Kosovë”.
Konferenca e mbajtur në Prishtinë, pati si qëllim parësor adresimin e disa prej gjetjeve kryesore që dalin nga dhjetë (10) hulumtimet gazetareske të realizuara nga Buletini Ekonomik në kuadër të projektit “Promovimi i të drejtave të punës, raportimi i shkeljeve dhe angazhimi në dialog social me autoritetet publike në Kosovë”, të financuar nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë dhe që është implementuar nga Qendra e Trajnimeve dhe Burimeve për Avokim (ATRC) dhe BIRN Kosova.
Përmes dhjetë (10) hulumtimeve të realizuara, Buletini Ekonomik ka ekspozuar raste konkrete, të prekshme, të shkeljeve të të drejtave themelore të punëtorëve përmes rrëfimeve autentike në mënyrë që të nxitë diskutim publik dhe të krijojë mundësi për ndryshime pozitive në vendin e punës për kategoritë e ndryshme të punëtorëve në Kosovë.
Në konferencë morën pjesë rreth 16-17 veta, ndër ta, njohës të mirë të problemeve të fushës së shtruar, zyrtarë-përfaqësues të sindikatave, nga shoqëria civile dhe gazetarë të involvuar direkt, ose indirekt në finalizimin e këtij projekti.
Ndër ta, mori pjesë Jusuf Azemi, kryetar i Sindikatës së Pavarur të Punëtorëve Privat, Visar Ymeri, drejtor i Institutit “Musine Kokalari”, Eraldin Fazliu, një nga gazetarët me përvojë në vend, dhe drejtori i Portalit “Buletini Ekonomik”, Agon Sinanaj, në të cilën medie janë botuar hulumimet në kuadër të projektit. Morën pjesë edhe gazetarë e gazetare, bartëse të drejtëpërdrejta të disa prej temave të mbarështruara të projektit në fjalë (Mirjeta Shabani dhe Ngadhnjim Avdyli) dhe të tjerë.
Në këtë konferencë u konkludua se shkelja e të drejtave të punëtorëve në Kosovë nuk është diçka e re. Si, mospërfillja e të drejtave të punëtorëve në sektorë të ndryshëm është bërë sistematikisht dhe në mënyrë të veçantë demonstrohet përmes mospërfshirjes në punë të grupeve të caktuara shoqërore dhe shkeljeve të mëdha të të drejtave të punëtorëve nën dijeninë e shtetit dhe shoqërisë.
Menaxheri i projektit, Agon Sinanaj, me këtë rast ka prezantuar gjetjet kryesore që dalin nga hulumtimet e kryera përgjatë dhjetë muajve sa ka zgjatur ky projekt. Sipas tij, një nga objektivat kryesore të projektit, ka qenë adresimi i problemit të mospërfshirjes në tregun e punës për shumë qytetarë në Kosovë, qoftë për shkak të diskriminimit, qoftë për shkak të mundësive të pabarabarta në shkollim e punësim për shumë kategori të shoqërisë.
“Sa i përket kësaj komponente janë zhvilluar dy hulumtime të cilat kanë rezultuar me shkelje flagrante. Është hulumtimi i mospërfshirjes në sektorin e arsimit të mësimdhënësve nga komunitetet rom, ashkali dhe egjiptas. Në krejt sektorin e arsimit të Kosovës, vetëm 23 mësimdhënës janë nga këto komunitete. Arsyet janë të ndryshme, por më kryesorja që del nga hulumtimi është diskriminimi ndaj këtyre komuniteteve dhe mundësitë e pabarabarta në punësim. Hulumtimi i dytë ka të bëjë me përjashtimin nga tregu i punës të mijëra të rinjve në Kosovë të moshës 18 deri në 25 vjeç. Sipas ASK-së bëhet fjalë për 100 mijë të rinj nga kjo kategori që nuk janë në shkollim e nuk kanë kryer as ndonjë trajnim. Përmes hulumtimit tonë kemi gjetur se institucionet e Kosovës nuk ofrojnë fare programe adekuate për përfshirjen në tregun e punës të kësdaj kategorie”, ka thënë Sinanaj.
Komponenta tjetër e projektit ka të bëjë me evidentimin e sektorëve më problematik në kuptimin e shkeljes së të drejtave të punëtorëve në Kosovë.
“Kemi hulumtuar gjendjen e punëtorëve në sektorin e pastrimit dhe sigurimit fizik, sektorin e ndërtimit dhe gjendjen e punëtorëve që punojnë natën. Shkeljet janë flagrante, duke filluar nga pagat e ulëta, në raste të caktuara nën pagën minimale prej 170 euro, puna jashtë orarit e cila nuk kompensohet sipas ligjit, e deri të mungesa e kontratave. Në sektorin e pastrimit kemi gjetur raste të punëtorëve që punojnë deri në 290 orë në muaj, pa u paguar për orët shtesë. Puna e natës është një sektor tjetër krejtësisht i pambuluar nga mbikëqyrja e inspektoratit”, ka thënë Sinanaj.
Një sektor që i është kushtuar vëmendje e posaçme është sektori i ndërtimit, përkatësisht moskompensimi sipas ligjit për shumë familje që kanë humbur familjarët në vendin e punës dhe të lënduarit rëndë. “Kemi gjetur raste se si familjet detyrohen të bëjnë marrëveshje të pafavroshme me kompaninë për shkak se rastet zvarriten me vite nëpër gjykata”, ka shtuar me këtë rast, Sinanaj.
Edhe diskutimet e pjesëmarrësve, që ishin të frytshme dhe përplotë fakte e të dhëna konkrete, kanë kontribuar goxha shumë në ndriçimin e këtij problemi thuaja kronik në këto vitet e pasluftës.
Visar Ymeri, nga Instituti për Politika Sociale “Musine Kokalari”, ka folur mbi rëndësinë e trajtimit të këtyre problematikave nga mediat, nevojës që të shkohet përtej raportimit të përditshëm e sipërfaqësor. “Janë të mirëseardhura temat e kësaj fushe dhe të trajtuara me sens profesionist dhe me ilustrime të prekshme të ndodhive konkrete në përditshmërinë e punës së punëtorëve, sidomos në sektorët e mirëmbajtjës dhe të sigurimit fizik”. Ai propozoi edhe trajtime të tjera të nevojshme për të ndriçuar edhe më diskriminimin edhe në sektorë të tjerë të punës në Kosovë.
Jusuf Azemi, nga Sindikata e Sektorit Privat, duke folur për përfaqësimin sindikal të punëtorëve dhe sfidat në përfaqësim, vuri në dukje, se megjithë përpjekjet e sindikatës për të iu dalë në ndihmë punëtorëve tha se problemi i diskriminimit të punëtorëve në sektorët e sigurimit fizik, të mirëmbajtjes, por edhe në ndërtimtari, vazhdon të jetë shqetësues, me raste të shumta të shkeljes së të drejtave të tyre. Ai përmendi me këtë rast edhe pagat e ulëta me të cilat këta punëtorë, mund të shtyjnë vetëm disa ditë. Sipas tij, pagat e punëtorëve të mirëmbajtjes prej 180 eurosh, që marrin punëtorët e angazhuar në pastrimin e hapësirave të punës në Qevrerinë e Kosovës, është e turpshme dhe jashtë logjikës në këtë trend të rritjës së vazhdueshme të çmimeve, sidimos të produkteve bazike ushqimore. Ai ilustroi edhe të tjera raste të pagave diskrimunuese, sipas tij, të punëtorëve të mirëmbajtjes që sillën nga 170 deri në 230 euro, pa kompensime të orëve shtesë të punës, dhe të punës së natës dhe të vikendeve.
Ndërsa, Ngadhnjim Avdyli, gazetar, i bëri një vështrim sfidave me të cilët përballen gazetarët gjatë raportimeve për shkelje të të drejtave të punëtorëve në Kosovë, tendecave për t’i fshehur faktet nga punëdhënësit dhe mosmarrjen e përgjigjeve në shumë pyetje të shtruara nga përfaqësuesit e medieve, qoftë në institucione shtetërore, qoftë në kompani private.