Qindra shtylla të reja të betonit, tok me përçuesit e rinj, tashmë gjarpërojnë nga Rahoveci, përgjatë vreshtave të kësaj komune, drejt fshatrave të thepisura malore.
Gjithçka po realizohet në kuadër të planit investiv të KEDS-it. Bëhet fjalë për Largpërçuesin e Pataqanit, i cili shtrihet përgjatë fshatrave Pataqan i Epërm dhe i Poshtëm, Nashpall, Vranjak, Drenoc dhe Zatriq.
Në një gjatësi prej 25 kilometrash, pos shtyllave të betonit dhe përçuesve elektrikë, kanë zënë vend edhe 21 trafostacione, si dhe stabilimente të tjera të nevojshme.
Kjo dalje ka qenë në një gjendje të rëndë, për çka banorët e asaj zone janë ballafaquar me vështirësi në furnizim dhe, për shkak të vendndodhjes së një pjese të saj në zona malore, shpeshherë u ka krijuar vështirësi edhe ekipeve të KEDS-it në mirëmbajtje.
Megjithatë, me përfundimin e këtij projekti madhor, i cili pritet të vihet në funksion në janar të vitit tjetër, mbi 14,000 banorë të asaj ane do të kenë një rrjet komplet të ri elektrik, çka nënkupton siguri dhe furnizim të qëndrueshëm me energji elektrike.
Projekti i Pataqanit është vetëm një nga 250 projektet madhore, të cilat po i realizon KEDS-i anembanë Kosovës. Investimet në rrjetin elektrik, si një prioritet fondamental i KEDS-it, po vazhdojnë të realizohen gjithandej Kosovës, me qëllim që të kemi një rrjet elektrik të qëndrueshëm e të sigurt.