Zgjidhja Alternative e Kontesteve
ZAK është akronim i përdorur zakonisht për ombrellën e termit “zgjidhja alternative e kontesteve.” ZAK përfshin një spektër të gjerë të menaxhimit të kontestit dhe zgjidhjes së kontesteve jashtë procesit gjyqësorë, duke filluar nga negociata të drejtpërdrejta në mes të palëve deri tek ndërmjetësimi dhe arbitrazhi. Ndërmjetësimi dhe arbitrazhi përfshijnë një palë të tretë neutrale në procesin e zgjidhjes së kontesteve.
ZAK mekanizmat, të tilla si arbitrazhi dhe ndërmjetësimi, u ofrojnë bizneseve dhe qytetarëve një metodë efektive dhe efikase për zgjidhjen e një game të gjerë të kontesteve përmes alternativave në krahasim me procedurat formale gjyqësore. ZAK është një plotësues, jo një zëvendësim për, sistemin gjyqësor, por shton një zgjedhje shtesë për palët që kanë një mosmarrëveshje. ZAK ofron përparësi të më shumta se zgjidhja tradicionale gjyqësore e kontesteve, në mënyrë të veçantë duke qenë shumë më e shpejtë, por edhe duke ofruar konfidencialitet, dhe ekspertizë më të madhe specifike se ajo që gjyqtarët mund të kenë në lidhje me objektin e kontestuar (për shembull, inxhinierët e ndërtimit shërbejnë në panele të arbitrazhit duke zgjidhur kontestet për ndërtimin e një ndërtese).
Zgjidhja alternative e kontesteve – si Ndërmjetësimi dhe Arbitrazhi – janë në dispozicion në Kosovë përmes një shumëllojshmërie të organizatave dhe mënyrave.
Çfarë është ndërmjetësimi?
Ndërmjetësimi është një proces vullnetarë dhe konfidencial për zgjidhjen e kontesteve në të cilat palët në kundërshtim zgjedhin një ose më shumë persona neutral (ndërmjetësues) për të ndihmuar ata në arritjen e një zgjidhjeje reciprokisht të kënaqshme të mosmarrëveshjes së tyre. Ndërmjetësuesit lehtësojnë komunikimin mes palëve duke i quar ata në një proces të strukturuar të komunikimit. Ndërmjetësuesit ndihmojnë palët në arritjen e një vendimi mirëpo ata nuk marrin një të tillë.
Ndërmjetësimi
Ndërmjetësimi është një proces më pak formal në të cilin palët në kontest zgjedhin një ose më shumë persona neutral (ndërmjetësuesit) për të ndihmuar ata në arritjen e një zgjidhje reciprokisht të kënaqshme të mosmarrëveshjes së tyre. Një dallim thelbësor në mes të gjykatës dhe/ose procedurave të arbitrazhit dhe ndërmjetësimit është se ndërmjetësuesi nuk merr një vendim, por lehtëson komunikimin në mes të palëve në mënyrë që ata të mund të arrijnë një marrëveshje në bazë të interesave të tyre.
Programi CLE i USAID-it operon thri pilot Qendra të Ndërmjetësimit të cilat ofrojnë shërbime të ndërmjetësimit për palët e interesuara, si dhe pranojnë rastet e referuara nga Gjykatat. Qendrat CLE të ndërmjetësimit janë të vendosura në Pejë, Gjilan dhe Prizren.
Përfitimet nga Ndërmjetësimi
Efikasiteti—Informaliteti shmang jo efikasitetin i cili shkakton vonesa në procedurat gjyqësore. Shumica e rasteve zgjidhen brenda vetëm disa seancave.
Fleksibiliteti—Qendra e Ndërmjetësimit do të përshtatë orarin tuaj.
Kontrolli i palëve—Ndërmjetësimi është vullnetar dhe rezultati i tij përcaktohet nga palët.
Konfidencialiteti—Palët dhe ndërmjetësuesi duhet të ruajnë konfidencialitetin e procesit.
Suksesi—Ndërmjetësimi është i suksesshëm në mbi 80% të rasteve dhe në mbi 90% të rasteve palët përmbushin obligimet e tyre.
Parimet e ndërmjetësimit
Autonomia e palëve—Ndërmjetësimi është vullnetar dhe çdo marrëveshje e arritur bazohet në vullnetin e lirë të palëve.
Barazia e palëve—Palët trajtohen në mënyrë të barabartë përgjatë procedurës së ndërmjetësimit.
Paanësia—Ndërmjetësuesi duhet të jetë i pavarur dhe i paanshëm.
Konfidencialiteti—Ndërmjetësuesi, palët dhe çdo pjesëmarrësit tjerë janë të obliguar të ruajnë konfidencialitetin.
Fillimi i procesit të ndërmjetësimit
Inicimi nga palët—Nëse keni ndonjë kontest që nuk mund ta zgjidhni, Qendra e Ndërmjetësimit do t’ju këshilloj se a është rasti i juaj i përshtatshëm për ndërmjetësim. Nëse vendosni për të provuar ndërmjetësimin, Qendra do të kontaktojë me palën tjetër, do t’ia sqarojë procesin e ndërmjetësimit dhe do të ftojë palën tjetër në Qendër për një takim.
Referimi nga gjykata—Nëse një lëndë është tashmë në gjykatë, gjyqtari mund të sugjerojë palët të provojnë ndërmjetësimin ose vetë palët mund të sugjerojnë këtë. Kjo mund të ndodhë në çdo kohë para se procedura gjyqësore te ketë përfunduar. Nëse të dyja palët pajtohen, gjykata do të transferojë rastin në Qendër për Ndërmjetësim dhe Qendra do ta kthejë lëndën në gjykatë në përfundim të procedurës së ndërmjetësimit.
Hapat e procedurës së ndërmjetësimit
FAZA 1: Ndërmjetësuesi do të shpjegojë parimet e ndërmjetësimit, do të caktojë rregullat themelore dhe do të përgjigjet në të gjitha pyetjet e palëve. Palët dhe ndërmjetësuesi do të nënshkruajnë marrëveshjen mbi ndërmjetësim.
FAZA 2: Secila palë do të ketë kohë të pandërprerë për të treguar historinë e tij/saj dhe për të shpjeguar këndvështrimet dhe ndjenjat e tij/saj, pa u sfiduar.
FAZA 3: Ndërmjetësuesi do të udhëheqë diskutimin e palëve, duke siguruar që palët mund të përgjigjen në qëndrimet dhe ndjenjat reciproke në mënyrë të qetë dhe të kontrolluar. Ndërmjetësuesi do të parashtrojë pyetje për të sqaruar çështjet në mosmarrëveshje dhe për të sigurojë që palët kanë të gjitha informatat që ata kanë nevojë për të marrë një vendim.
FAZA 4: Duke përdorur informatat e mbledhura gjatë fazave paraprake, ndërmjetësuesi do të ndihmojë palët në identifikimin edhe hulumtimin e zgjidhjeve të mundshme.
FAZA 5: Ndërmjetësuesi do të ndihmojë palët për të arritur marrëveshjen përfundimtare e cila është e kënaqshme për të dyja palët dhe të përgatisë një marrëveshje me shkrim që duhet nënshkruar nga palët dhe ndërmjetësuesi. Nëse marrëveshja nuk arrihet, ndërmjetësuesi do ta ndërpresë ndërmjetësimin.