Puna praktike është një lloj programi i cili ofron përvoja për fillestarët në një pozitë apo profesion të caktuar. Puna praktike tek të rinjtë, jo vetëm që ndihmon në aftësimin profesional por njëkohësisht shërben edhe si mundësi për ta që paraprakisht të njoftohen me ambientin dhe mundësitë që ofron puna.
Kryerja e një praktike para kyçjes së rregullt në punë ka shumë përfitime, meqënëse dijet teorike tashmë vendosën në praktikë. Kjo çon në rritjen personale dhe profesionale të një personi.
Drejtori i Burimeve Njerëzore në Korporatën Meridian, Abdylkerim Ratkoceri, në një intervistë për KosovaJob ka thënë se puna praktike në Kosovë nënçmohet jashtëzakonisht shumë prej të rinjve ngase ata nuk po arrijnë ta kuptojnë që karriera duhet të ndërtohet hap pas hapi.
“Fakulteti është teori, posaçërisht në Kosovë. Le të investohet në trajnime praktike, le të mësojnë diçka që biznesi kërkon, e këtu paraqitet një hapësirë, një boshllëk që ekziston në Kosovë mes punëmarrësve dhe punëdhënësve. Krejt aftësi tjera kanë njerëzit që e përfundojnë fakultetin ndërsa krejt aftësi tjera kërkohen prej bizneseve në Kosovë. Në Kosovë, puna praktike jashtëzakonisht shumë nënçmohet prej të rinjve, është shumë e rëndësishme të kalohet fazë – fazë për të arritur në karrierë. Duhet të fillohet dikund, nëse e ke përfunduar fakultetin e menaxhmentit nuk nënkupton që ti duhet të bëhesh menaxher menjëherë. Duhet të shkohet hap pas hapi, një praktikë njëherë, pastaj një punë”, ka thënë ai.
Çka pritet prej një praktikanti të mirë?
Kur në treg të punës kyçesh në moshë të re, atëherë është shumë më e lehtë të mësohet. Praktikantët janë më të motivuar dhe më të gatshëm për t’i marrë me shumë përkushtim detyrat të cilat iu caktohen. Ratkoceri thotë se prej një praktikanti të mirë, kompanitë presin dedikim për një punësim afatgjatë.
Sipas tij, për bizneset është shumë më e lehtë që praktikantët që i marrin t’i trajnojnë vetë sepse ata mund të zhvillohen më shpejt, e jo të humbasin kohë duke u marrë me mungesën e kuadrove.
Kompanitë presin njerëz të rinjë, të përkushtuar, të gatshëm për të mësuar dhe të atillë që kanë dëshirën për të ecur përpara. Sidoqoftë, ai theksoi se edhe kompanitë duhet të kuptojnë që nga praktikantët nuk duhet të pritet diçka shumë e madhe sepse ata akoma nuk i kanë njohuritë. Si rrjedhojë, këto njohuri duhet të transmetohen njëherë tek ata.
“Sa i përket praktikantit, ai poashtu duhet t’i përfillë përgjegjësitë e tij. Kur e merr një praktikant, ti i jep kontratë të punës, ajo është kontratë me ligjin e punës edhe në njëfarë forme aty janë edhe përgjegjësitë të cilat i ka personi që duhet t’i përfundojë, duhet t’i përshtatet rregullave të brendshme të kompanisë edhe pse është praktikant. Është punësim mirëpo nënkupton mësim njëkohësisht”
A të vazhdoj me studimet apo ta ruaj vendin e punës?
Të rinjtë shpeshherë gjenden para dilemave të tilla si: A të vazhdoj me studimet apo të ruaj vendin e punës? dhe jo çdo gjë e mirë është e lehtë për t’u realizuar.
Sipas Ratkocerit, një njeri i suksesshëm i arrin të dyjat pa ndërprerje sepse një gjë e tillë është shumë e lehtë kur ekziston përkushtimi dhe gatishmëria për të sakrifikuar për një jetë më të mirë dhe një sukses më afatgjatë.
“Një i ri duhet të jetë i përkushtuar dhe i gatshëm për t’u zhvilluar edhe brenda biznesit. Duhet ta dijë se si ta kërkojë këtë zhvillim, t’i thotë biznesit ku punon – unë dua të zhvillohem, a do të më ndihmoni? Unë jam ithtar i asaj që të zhvilloheni pa shkëputje nga asnjëra. Është shumë me rëndësi sepse je brenda një institucioni ku ti realisht po përfiton prej investimeve të këtyre trajnimeve dhe është në interes edhe të kompanisë që staf të ketë vazhdimisht njerëz të ngritur por në anën tjetër edhe në nivel akademik ngritet personi personalisht. Një njeri me vullnet i arrin të dyja. Për mua, nuk ështe arsye puna që të mos arrihet sukses”
Konceptin e menaxhimit të kohës ai e sheh si diçka shumë të rëndësishme. Sipas tij, nëse ekziston objektiva dhe menaxhohet më mirë koha, njerëzit gjithmonë do të arrijnë suksesin e dëshiruar.