1.7 C
Pristina
spot_img

Rregullat për veturat elektrike mund t’u kushtojnë prodhuesve miliarda

Date:

Share:

Rregullat e reja tregtare të Brexit rreth automjeteve elektrike mund t’u kushtojnë prodhuesve evropianë 3.75 miliardë paund gjatë tre viteve të ardhshme, ka thënë një organ i industrisë.

Rregullat synojnë të sigurojnë që veturat elektrike të prodhuara në BE janë krijuar kryesisht nga pjesë me burim lokal. Mirëpo, prodhuesit në të dy anët e Kanalit thonë se nuk janë ende gati për vendosjen në zbatim të tyre.

Shoqata Evropiane e Prodhuesve të Automobilave paralajmëroi se masat mund të reduktojnë prodhimin nga fabrikat e BE-së me 480,000 automjete. Dhe barra për uljen e prodhimtarisë dhe tarifimin ekstra të produktit bie e gjitha në kurriz të klientëve.

Problemi kryesor qëndron në të ashtuquajturat “rregulla të origjinës” që hyjnë në fuqi në janar. Ato zbatohen për dërgesat e veturave përmes Kanalit sipas kushteve të marrëveshjes së Brexit, Marrëveshjes së Tregtisë dhe Bashkëpunimit Mbretëri e Bashkuar-BE. Ata do të sigurojnë në mënyrë efektive që automjetet elektrike do të kenë nevojë të kenë bateri të prodhuara në Mbretërinë e Bashkuar apo në BE.

Veturat që nuk plotësojnë kriteret do të përballen me tarifimin 10% të vlerës ose taksa ekstra kur transportohen nëpër Kanal, në të dy drejtimet. Rregullat u krijuan për të mbrojtur industrinë evropiane nga importet e lira. Por për shkak se prodhimi i baterive në Evropë nuk është rritur aq shpejt sa pritej, prodhuesit e veturave po luftojnë për të përmbushur kriteret e reja.

Rasti përbën një problem serioz për prodhuesit evropianë. Mbretëria e Bashkuar është deri tani tregu i tyre më i madh i eksportit, me 1.2 milion automjete që kanë mbërritur në portet e Mbretërisë së Bashkuar vitin e kaluar. Po kështu më shumë vetura të ndërtuara në Mbretërinë e Bashkuar transportohen në BE se çdo rajon tjetër.

Tarifat e larta mund t’i bëjnë veturat elektrike më të shtrenjta për t’u prodhuar dhe potencialisht të rrisin çmimet. ACEA kërkon që rregullat e reja të shtyhen për tre vjet dhe po i bën thirrje Komisionit Evropian të marrë masa.

“Rritja e çmimeve të konsumit të automjeteve elektrike evropiane, pikërisht në kohën kur ne duhet të luftojmë për pjesën e tregut përballë konkurrencës së ashpër ndërkombëtare, nuk është masa e duhur”, tha shefi ekzekutiv i Renault, Luca de Meo, i cili gjithashtu vepron si presidenti i ACEA.

“Ne në mënyrë efektive do t’ua dorëzojmë një pjesë të tregut prodhuesve globalë”, shtoi ai. Që rregullat të shtyhen, duhet të arrihet një marrëveshje midis Britanisë së Madhe dhe BE. Sekretarja e Biznesit në Mbretërinë e Bashkuar, Kemi Badenoch tha javën e kaluar se ishte “optimiste” që mund të arrihet një marrëveshje e tillë.

Por në një intervistë me The Guardian të premten, komisioneri i tregut të brendshëm të BE-së Thierry Breton u tregua strikt sa i përket çështjes. Sipas Breton, do të ishte gabim të rihapje marrëveshjen e Brexit për të kënaqur industrinë e motorëve.

“Nëse diçka është negociuar, nuk duhet të ndryshohet”, tha ai për The Guardian, duke shtuar se: “Brexit ka ndryshuar ndër të tjera edhe marrëdhëniet tregtare midis Mbretërisë së Bashkuar dhe BE-së.”

Eurokomisioneri vuri në dukje se marrëveshja tregtare e Brexit Marrëveshja e Tregtisë dhe Bashkëpunimit BE-Mbretëri e Bashkuar “është rezultat i një negocimi në të cilin të dyja palët ranë dakord për një ekuilibër të përgjithshëm të angazhimeve”. Dhe se rregullat e origjinës synojnë të zhvillojnë një “zinxhir të fortë dhe elastik të vlerës së baterisë në BE”.

Sigrid de Vries, sekretarja e përgjithshme e ACEA, e konsideroi aspak surprizuese rezistencën që po hasnin apelet e industrisë së prodhimit të veturave elektrike nga BE.

“Komisioni Evropian nuk dëshiron të ndryshojë asgjë, me sa duket, kur bëhet fjalë për temat e lidhura me Brexit. Është një çështje politikisht shumë e ndjeshme”, theksoi ajo për BBC.

“Ne e kuptojmë atë dhe nuk po kërkojmë të ndryshojmë asnjë nga këto marrëveshje në asnjë mënyrë thelbësore.”

Shefi ekzekutiv i Shoqatës së Prodhuesve dhe Tregtarëve të Motorëve në Mbretërinë e Bashkuar, Mike Hawes, u tha gazetarëve javën e kaluar se mendonte që mund të arrihej në marrëveshje, por do të ishte një çështje e minutës së fundit.

“Ne jemi ende optimistë se një marrëveshje mund të arrihet. Kjo ka kuptim të përbashkët. Por unë mund të shoh që kjo po zbret, si me Brexit, në prag të Krishtlindjeve, ose diçka të tillë”, u shpreh ai.

Zyrtarët e tregtisë nga BE dhe Mbretëria e Bashkuar do të takohen këtë javë në Londër. Nuk dihet ende nëse rregullat e reja do të jenë në rend dite.

Abonohuni

━ artikuj të ngjashëm

spot_img