Platforma X në pronësi të Elon Musk mund të humbasë deri në 75 milionë dollarë të ardhura nga reklamat deri në fund të vitit pasi dhjetëra marka të mëdha ndalojnë fushatat e tyre.Arsyeja e eksodit të madh të reklamuesve ishin komentet antisemite me të cilat Musk duket se ishte dakord. Kjo ka bërë që kompanitë si Walt Disney dhe Warner Bros Discovery të ndalojnë reklamat në platformë.
Dokumentet e brendshme të cituara nga New York Times në raport tregojnë se ka më shumë se 200 fushata nga kompani duke përfshirë Airbnb, Amazon dhe Microsoft, shumë prej të cilave kanë ndaluar ose po mendojnë të ndalojnë reklamat në X. Nga tetori 2022, kur Musk bleu edhe Twitter-in, reklamuesit po largohen nga platforma. Shumë shprehën shqetësimin për zgjedhjen e miliarderit të teknologjisë për të rikthyer disa llogari të lidhura me gjuhën e urrejtjes. Të ardhurat nga reklamat e platformës në Shtetet e Bashkuara kanë rënë të paktën 55% nga viti në vit çdo muaj që kur Musk bleu Twitter.
Musk kërcënoi së fundmi se do të padisë organizatën e monitorimit të mediave “Media Matters” dhe të tjerë që sulmuan platformën e tij të medias sociale X, pasi disa kompani të mëdha amerikane vendosën të ndalin reklamat në këtë rrjet ku ato shfaqeshin përkrah materialeve antisemite. Musk dhe kompania X janë vendosur në epiqendër të vëmendjes gjatë kësaj jave për shkak të materialeve antisemite dhe raciste që u përhapën në këtë rrjet që kur ai e bleu në vitin 2022.