Teksa bizneset nga njëra anë ankohen për mungesë të fuqisë punëtore, papunësia vijon të mbetet ende në nivele të larta, çka tregon një mospërputhje apo mos koordinim të asaj që ofron tregu me kërkesat apo formimin akademik të të rinjve. Në një intervistë për Revistën “Monitor” Aneida Bajraktari tregon se si të orientojmë të rinjtë në tregun e punës dhe faktorët se përse jemi në këtë raport kërkesë- ofertë.
“Faktikisht ne bëjmë aktivitete që të rinjtë të jenë të vetëpunësueshëm, që idetë e tyre të biznesit t’i kthejnë në realitet, ëndrrat t’i kthejnë në biznese dhe kjo nuk është gjithmonë e lehtë. Vizioni që kemi pasur më shumë sesa të rinjtë që bëjnë biznes është që ata të ndryshojnë këtë mendësi dhe të jenë gjithmonë në kërkim të mënyrave që të rrisin veten dhe jo vetëm të bëhen sipërmarrës. Ky ka qenë vizioni dhe nuk është gjithmonë e lehtë që të rinjtë të nisin biznese të reja, sepse biznesi është gjithmonë risk. Duhet t’i hyjmë më thellë për të kuptuar kulturën, sesi ne nuk jemi shumë të qasur ndaj riskut, të inkurajuar nga familja, kjo i ka rrënjët më të thella. Për të folur për papunësinë e të rinjve është kritike sepse nga njëra anë kemi një papunësi të lartë dhe kjo vihet re shumë qartë, por nga ana tjetër kemi dhe biznese që nuk gjejnë punonjës. Ka një diferencë shumë të madhe ditët e sotme mes atyre që janë brezi i ri, që kërkojnë të jenë më shumë të përmbushur në vendin e punës, kërkojnë paga më të mira, kushte më të mira, që jo gjithmonë bizneset shqiptare i ofrojnë. “- thotë Bajraktari
Sipas sipërmarrëses duhet patjetër të punohet më shumë për bashkëpunimin ndër institucional.
“Është një proces që bizneset të mësojnë, që punonjësi është një nga faktorët më të rëndësishëm për ta mbajtur biznesin në këmbë, dhe ata të ofrojnë kushte dhe paga më të mira. Në Shqipëri flitet akoma për deklarime jo reale pagash, për mungesë kontratash, mosdeklarime punonjësish dhe jo për programe trajnimesh, që t’i aftësojë më shumë për tregun e punës. Problematikë shumë e madhe është mungesa e lidhjes mes universitetit, qeverisë dhe biznesit.”
Sipërmarrësja Aneida Bajraktari jep edhe disa sugjerime në këtë drejtim.
“Nuk ka politika shumë të qarta që biznesi të punësojë të rinjtë apo dhe studentë për praktika pune, ndërkohë dhe legjislacioni nuk është i BE-së. Nëse unë si kompani duhet të punësoj një të ri kam kosto shtesë, sepse nga ana ligjore duhet ta deklarojë si punonjës normal dhe jo si një student që ndjek praktikë pune. Për ta bërë këtë duhet që çdo kompani të ketë një marrëveshje me universitetet dhe ka shumë burokracira për të arritur në këto stade. Kur flasim për qeveri-biznes janë dy sindroma, është sindroma e militantizmit që është shumë e qartë që një pjesë shumë e madhe rreth 80% e të punësuarve në administratë publike nuk janë gjithmonë studentët që dalin nga shkolla me diploma apo aftësi të mira, por janë militantët e partive politike. Nga ana tjetër shumë biznese në Shqipëri kanë sindromën e farefisit, punësojnë njerëz të afërt, nuk po flasim për korporata, por për një tjetër nivel biznesi që janë shumica dërrmuese. Kjo nuk i lë vend të rinjve që dalin nga shkollat për t’u punësuar, për të qenë konkurrues dhe për të zhvilluar aftësitë të tyre.”
Sipas të dhënave të Instat, në tremujorin e parë 2023, shkalla zyrtare e papunësisë në Shqipëri, për popullsinë mbi 15 vjeç ishte 10,9 %. Numri i të papunëve gjithsej u ul me 0,5 % krahasuar me të njëjtin tremujor të vitit 2022 dhe është rritur me 0,7 % krahasuar me tremujorin e mëparshëm. Në tremujorin e parë 2023, shkalla e pjesëmarrjes në forcat e punës, për popullsinë 15-64 vjeç, ishte 75,7 %. Krahasuar me tremujorin e parë të vitit 2022, shkalla e pjesëmarrjes në forcat e punës është 3,7 pikë përqindje më e lartë, ndërkohë që, krahasuar me tremujorin e mëparshëm është rritur me 0,9 pikë përqindje. Për gratë, shkalla e pjesëmarrjes në forcat e punës është 69,5 %, ndërsa për burrat ky tregues është 82,2 %. Për burrat, shkalla e pjesëmarrjes në forcat e punës është 12,7 pikë përqindje më e lartë sesa për gratë. Krahasuar me të njëjtin tremujor të vitit 2022, shkalla e pjesëmarrjes në forcat e punës, për gratë është rritur me 5,0 pikë përqindje, ndërsa për burrat është rritur 2,4 pikë përqindje