3.7 C
Pristina
spot_img

Sfidat e migrimit dhe ku duhet të fokusohen kompanitë?

Date:

Share:

Me diskutime dinamike u mbajt konferenca me titull “Liberalizimi i vizave: Sfidat dhe përparësitë për bizneset nga Kosova” – e organizuar nga Oda Ekonomike Gjermano-Kosovare. Pasojat ekonomike të rritjes së lëvizjes së fuqisë punëtore ishte tema në panelin e dytë të moderuar nga Sarah McGregor –  Organizata Ndërkombëtare për Migrim  IOM, në të cilin ekspertët nga organizatat dhe institutet diskutuan për pasojat e mundshme, që rrjedhin nga studimet dhe observimet e tyre.

Rezultatet e  Institutit “Riinvest” të bazuara në anketën me mbi një mijë biznese, rezulton se Kosova vijon të ballafaqohet me sfida të mëdha në tregun e punës. Përderisa shkalla e papunësisë ka shënuar rënie (në 12.6 përqind në vitin 2022), niveli i punësimit si përqindje e popullsisë mbetet i ulët (33.8 përqind). Rënia e shkallës së pjesëmarrjes së fuqisë punëtore nga mbi 40 përqind në 38.6 përqind pasqyrohet të jetë e ndikuar edhe  nga migrimi.  Alban Hashani – Drejtor Ekzekutiv në Institutin “Riinvest”ka treguar se 120 mijë njerëz kanë migruar për në Gjermani viteve të fundit dhe kjo do të vazhdojë edhe më tutje. Kjo përqindje është mesatarisht dy herë më e lartë se në vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor.

“Trendi i largimit ka filluar më parë në Kosovë dhe shumë njerëz deri tani janë larguar. Ne kemi marr të dhëna nga Agjencia Federale Gjermane e Punësimit që tregojnë se 120,000 individë kanë migruar për punë në Gjermani që do të thotë se gjatë viteve të fundit kemi humbur 1 % të  popullsisë së Kosovës, çdo vit. Ka gjasa të mëdha që njerëzit duan të largohen dhe kjo do të vazhdojë për disa kohë”, ka thënë ai.

Për më tepër, bizneset raportojnë se 17.59 përqind e punonjësve të tyre veçse i kanë informuar se do të emigrojnë vitin e ardhshëm. Sipas raportit të “Riinvest”, vlerësimet e bizneseve janë se rreth 32.72 përqind e punëtorëve do të emigrojnë gjatë vitit të ardhëm, kur pritet të liberalizohen vizat për në zonën Schengen. Për të frenuar këtë trend, vetëm gjatë vitit të fundit, 79 për qind e bizneseve kanë rritur pagat e tyre dhe rritja e pagave ishte 22.23 për qind. Mbi një e treta e bizneseve raportojnë se do të vijojnë t’i rrisin pagat, përderisa 24,5 për qind planifikojnë të përmirësojnë kushtet e punës, ndërsa 20,6 për qind planifikojnë të punësojnë gra (kryesisht në moshë të mesme), dhe 10,4 për qind planifikojnë të investojnë në teknologjitë e reja që synojnë automatizimi e proceseve të punës.  Pothuajse gjysma e të rinjve të anketuar kanë pohuar se ata synojnë të emigrojnë në dy vitet e ardhshme. Për më tepër, një e treta e atyre që kanë lënë punën, e ka bërë një gjë të tillë për shkak të emigrimit. Hartuesit e politikave duhet të përqendrohen në minimizimin e faktorëve që i shtyjnë ata të emigrojnë.

Ndërsa qytetarët e Kosovës vazhdojnë të eksplorojnë perspektivat e punësimit dhe të kërkojnë mjete më të mira jetese përtej kufijve të tyre kombëtarë, tregu vendor i punës mund të përjetojë mungesë talentesh në sektorë dhe industri të ndryshme.  Hashani përgjatë konferencës ka treguar se arsyeja arsyeja kryesore esenciale që po i shtynë njerëzit të largohen lidhen me shëndetësinë dhe arsimin. “Ne kemi gjetur se esencialisht njerëzit largohen për shkak të kualitetit të arsimimit dhe shëndetësisë dhe kjo i bie që nuk mendojnë vetëm për veten, por edhe për familjet e tyre”, ka theksuar ai.

 

Rizaj: Kompanitë duhet t’i kushtojnë rëndësi konkurrencës

Arion Rizaj – Themelues dhe udhëheqës i platformës #1 të punësimit, KosovaJob ka thënë se në vitin 2023 numri i shpalljeve për vende të punës është rritur dhe nga kompanitë ndërkombëtare që nuk kanë prezencë në Kosovë.

“Kjo i bie që është një Kompani nga Gjermania e cila do të punësojë direkt punonjës nga Kosova për në Gjermani, e njëjta po ndodhë me Zvicrën, Rumaninë , Bulgarinë dhe vende të tjera”, ka theksuar ai.

Ai gjatë konferencës është fokusuar te tre faktorë që duhet pasur parasysh në këtë aspekt. Konkurrenca është baza mbi të cilën orientohen edhe problematikat e tjera. E dyta është se si pandemia e ka afektuar tregun e punës dhe se si të huajt po e shohin Kosovën si “trampolinë” për të depërtuar në vendet e tjera.

“Problemi është se tani kompanitë po përballen me një konkurrencë e cila nuk është më vetëm lokale por është ndërkombëtare. Që nga pandemia njerëzit e kanë pasur mundësinë të punojnë nga shtëpia dhe kudo për ndonjë kompani kudo në botë dhe padyshim se kjo do t’i prekë bizneset dhe mundësinë e tyre për të punësuar. Në vitin 2023 kemi pasur një rritje e njerëzve nga Bangladeshi dhe Turqia të cilët aplikojnë për shpallje pune të kompanive vendore. Po ashtu tani jo vetëm kompanitë, por edhe punonjësit kanë konkurrentë punonjës nga vende të ndryshme”, ka theksuar Arioni gjatë konferencës.

Sipas tij problemi tjetër është se edhe kur vijnë punonjësit e huaj në kompanitë në vend, ata nuk qëndrojnë gjatë dhe kompanitë po thonë se ata po e përdorin Kosovën si trampolinë për të depërtuar në vende të tjera evropian. Dhe sfida më e madhe mbetet rekrutimi dhe mbajtja e punonjësve, të cilët sipas Arionit janë baza më e rëndësishme për kompaninë.

“Shumë kompani kanë probleme me rekrutimin, por problemi tjetër është mbajtja e punonjësve, rekrutimi ka qenë gjithmonë problem në Kosovë dhe përderisa papunësia po bie më sfiduese po bëhët. Problemi me rekrutimin është se kur e punësoni një punonjës, si t mbani atë. Çfarë shohim shpesh është se për një shpallje pune të njëjtë, një kompani merr 100 aplikantë kurse tjetra 20. Pyetja është “Pse” dhe e gjitha lidhet me brendimin e kompanisë. Në vitin 2023 kompanitë po fokusohen më shumë në këtë”, ka thënë ai.

Ramadan Islami – Menaxher i projektit global “Qendrat për Migrim dhe Zhvillim” në GIZ ka thënë se përpjekjet e tyre janë të fokusuara për ta parandaluar migrimin e parregullt dhe për të ju dhënë qytetarëve informatat e nevojshme për të marrë vendimin e duhur. Sipas tij, kjo nuk i inkurajon qytetarët që të largohen, por që me ndihmën e institucioneve u ndihmojnë popullatës për t’u integruar në tregun e punës në Kosovë.

“Gjasat që qytetarët e Kosovës të kenë mundësi më të mira profesionale ne vend janë duke u rritur, dhe kjo definitivisht do të ketë ndikim pozitiv në karrierën e tyre dhe në tregun e punës. Ata të cilët e shohin migrimin dhe mobilitetin si një mundesi për zhvillim të mëtutjeshëm mund të ndjekin këtë rrugë, edhe pse mundësi të tilla ka edhe në Kosovë”, ka thënë ai përgjatë konferencës që është mbajtur të mërkurën në “Klan Arena”.

 

Remitencat si benefit dhe përdorimi në mënyrën e duhur

Rudina Nallbani – Menaxhere e Programeve në Fondacionin gjerman Frierdrich Ebert është fokusuar tek remitencat dhe punësimi i grave si dy faktorë relevant për rrethanat ekonomike vendore. Remitencat si indikator i të ardhurave direkte për ekonomitë familjare në Kosovë, deri në fund të muajit korrik 2023 arritën vlerën rreth 754 milionë euro. Kjo paraqet rritje prej 12% krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2022, përderisa vetëm në muajin korrik ishin 118.8 milionë euro.

“Familjet në Kosovë më së shumti i përdorin remitencat për t’i mbuluar shpenzimet e tyre bazike në konsum, posaçërisht familjet me të ardhura të ulta. Në njërën anë, remitencat ndihmojnë në stabilitetin financiar të familjes duke shërbyer si burim i sigurt të ardhurash për familjet përfituese ”, është shprehur ajo. Por, në anën tjetër, remitencat krijojnë pasivitet tek fuqia punëtore, duke ndikuar në rritjen e pagës së rezervuar.  Për shembull, gratë ndikohen më së shumti në këtë aspekt, andaj programet që ndihmojnë në kanalizimin e remtiencave si mundësi e investimit për edukim, biznese të vogla dhe vetë-punësim, etj shërbejnë si katalizator për rritjen e efektit të remitencave në aspektin afatgjatë. Për më tepër, ngritja e nivelit të punësimit të grave në Kosovë është elementi parësor i fuqizimit financiar për t’u çliruar nga rolet tradicionale, si dhe për t’i sfiduar normat shoqërore që shpijnë tek diskriminimi me bazë gjinore./ KosovaJob

Abonohuni

━ artikuj të ngjashëm

spot_img