Sipas të dhënave të publikuara nga Indeksi Global për Inovacionin, Shqipëria jo vetëm që ka një radhitje të ulët botërore, por renditet dobët edhe në rajon, sa i takon inovacionit në disa sektorë. Kështu, sipas Indeksit, Shqipëria radhitet vetëm e 83-a në botë, sa i takon inovacionit. Në tërësi në indeks janë të llogaritura të dhënat për 132 vende të botës. Në krahasim me vendet e rajonit, ka një diferencë të dallueshme, ku për shembull, Serbia radhitet e 53-a, Maqedonia e Veriut në vendin e 54, Mali i Zi 75, apo edhe Bosnjë dhe Hercegovina, renditet përpara Shqipërisë, në vendin e 77-ë. Mes disa sektorëve të marrë parasysh, në pozita më të mira, vendi renditet kur flitet për sofistikimin e biznesit.
Renditje të mirë Shqipëria ka sa i takon infrastrukturës, duke u renditur e 53-a në botë. Këtu spikat mbi të gjitha ofrimi i shërbimeve online, përmes platformës e-Albania, ku Shqipëria renditet e 22-a në botë. Çfarë po ndodh me inovacionin dhe cilat janë sfidat që e presin sipërmarrjen shqiptare? Në një intervistë për mediat, Kushtrim Shala, ekspert i inovacionit dhe transformimit dixhital flet për situatën aktuale.
“Në përgjithësi ekonomia shqiptare është ndër të fundit në rajon dhe në Evropë, për sa i përket dixhitalizimit sepse është e përbërë nga dy sektorë të rëndësishëm siç është turizmi dhe bujqësia. Sektori i teknologjisë së informacionit po njeh një rritje ndonëse nuk mund t’i numërojmë kompanitë e teknologjisë a janë të digjitalizuara. Sektorët e tjerë si bujqësia dhe turizmi janë një ndër sektorët më të padixhitalizuar në të gjithë ekonominë shqiptare dhe përbëjnë 50 % të të gjithë PBB-së së ekonomisë shqiptare dhe rrjedhimisht ka shumë punë për të bërë. Nuk mund të themi që janë në nivelin e duhur, pavarësisht se kompanitë teknologjike po rriten, kryesisht kompanitë e IT dhe transformimit digjital po ofrojnë shërbime eksporti, shërbime për palët e treta kryesisht në vendet e BE-së, por klientët e tyre janë në të gjithë botë. Rrjedhimisht tregu shqiptar është jo shumë atraktiv, as për kompanitë shqiptare, si dhe për kompanitë e huaja, sepse mungon edhe kultura dhe është një ndër vendet ku penetrimin bankar e ka ndër më të ulëtin”-tha Shala.
Eksperti i inovacionit jep një panoramë të tendencave aktuale.
“Kosova ka pasur uljet dhe ngritjet e veta dhe na kujtohet që në edicionet e para kishte prurje të jashtëzakonshme të inovatorëve, të rinjve dhe të rejave që sillnin ide fantastike. Shqipëria deri në vitet 2017-2018 kishte një lloj stanjimi krahasuar me gjithë rajonin. Ndërsa ditët e fundit shfaqet pak më e ngurtë sepse ndoshta vjen dhe nga kultura edukative e sistemit në Shqipëri që priren për të gjetur një profesion më të sigurt, ndërsa në vendet e rajonit ka një sens sipërmarrje dhe marrjen e rrezikut përsipër, të guxuarit. Familjet shqiptare kanë një lloj konservatorizmi në raport me fëmijët dhe këshillat që u japin atyre, por përpjekja është për të qenë profesionistë për të marrë një vend pune që të pensionohesh tek pozicioni i parë që ti zgjedh.”- tha Shala.
Sipas Strategjisë së Zhvillimit të Biznesit dhe Investimeve 2021-2027 të publikuar nga qeveria, objektivi është që veprimtaritë e startup-eve dhe ato inovative të rriten gradualisht dhe të promovohet specializimi dhe ndërlidhjet, me qëllim që të arrihet ‘masa kritike’, duke u fokusuar në sektorët dhe zinxhirët e vlerave me potencial më të lartë.
Duke marrë në konsideratë nevojat e ndryshme, fokusi kryesor i objektivit të parë strategjik është tek zhvillimi dhe shfrytëzimi i potencialit për inovacion dhe rritje, ndërsa objektivi i dytë adreson më në thellësi ekosistemin e sipërmarrjes dhe startup-eve. Në të gjithë fushën e ndërhyrjes, një theks i veçantë vendoset në promovimin e aftësive sipërmarrëse të grave dhe krijimin e një klime favorizuese për rritjen e numrit të grave sipërmarrëse dhe madhësisë së bizneseve ekzistuese që drejtohen nga gratë. Masat për përmirësimin e aksesit në financë konsiderohen me rëndësi kritike për forcimin e konkurrueshmërisë së NVM-ve dhe startup-eve. Është e nevojshme të shtohen skemat e granteve për NVM-të dhe të hartohen mjete dhe instrumenta të reja financiare, të tilla si garancia e kredive, kapitali sipërmarrës dhe financimi i turmës Kjo kërkon ndryshim të kuadrit ligjor-thuhet në Strategjinë e publikuar deri në vitin 2027
Për të realizuar këtë kërkohet bashkërendim
“Për të shpalosur plotësisht potencialet sipërmarrëse, mbështetja duhet të shtrihet në grupe të synuara përtej ‘startup-eve inovative’, duke kombinuar tipe të ndryshme ndërhyrjesh (infrastrukturë, financim, informacion, trajnim dhe shërbime këshillimi) të cilat adresojnë nevojat e sipërmarrësve aspirantë dhe NVM-ve të reja. Në këtë kontekst, veprimet mund të bazohen në masat dhe iniciativat ekzistuese të zhvilluara në bashkëpunim me partnerët ndërkombëtarë. Kjo përfshin, për shembull, skemën e IDEA, e cila mbështetet nga GIZ dhe ofron trajnime dhe grante për sipërmarrësit e rinj në bazë të konkurrencës”
Eksperienca ndërkombëtare tregon se skemat mbështetëse të përgjithshme për NVM-të dhe sipërmarrjen duhet të plotësohen me masa të cilat promovojnë ndërlidhjet dhe projektet bashkëpunuese.
“Rrjedhimisht, forcimi i lidhjeve ndërmjet të gjithë aktorëve dhe komponentëve të ekosistemit të sipërmarrjes dhe inovacionit përbën një faktor gjithëpërfshirës për sukses. Kjo përfshin forcimin e lidhjeve ndërmjet aktorëve të spirales së trefishtë në vend, por gjithashtu dhe integrimin ndërkombëtar të ekosistemit për të rritur veprimtaritë e startup-eve dhe inovacionit. Së fundi, për të shpalosur potencialin e specializimit inteligjent dhe për të arritur ‘masën kritike’ për procese zhvillimi të pavarura është e nevojshme të eksplorohen mënyra të reja për t’u përqendruar dhe për të bashkëpunuar në zinxhirët e vlerave duke përfshirë të gjithë aktorët – nga startup-et te kompanitë e mëdha, nga NVM-të lokale te investitorët ndërkombëtarë, nga akademia te kërkimi, nga institucionet mbështetëse publike te dhomat dhe shoqatat e tregtisë.”- thuhet në raportin e publikuar.
Strategjia e re vendos theksin mbi rëndësinë strategjike të investimeve dhe integrimit në zinxhirin e vlerave dhe tregjet ndërkombëtare për rritje dhe zhvillim të qëndrueshëm. Investimet nxisin krijimin e vendeve të punës dhe rritjen e të ardhurave, duke nxitur gjithashtu transferimin e teknologjisë, zhvillimin e aftësive, dheeksportet. Integrimi në zinxhirin e vlerave ndërkombëtare luan një rol kritik në rritjen e eksporteve dhe forcimin e konkurrueshmërisë së Ndermarrjeve të Vogla dhe të Mesme.