3 C
Pristina
spot_img

Si i riformoi ekonomia e tregut të lirë sistemet ligjore në mbarë botën?

Date:

Share:

Si i riformoi ekonomia e tregut të lirë sistemet ligjore në mbarë botën. Përkrahësit e Friedrich Hayek premtuan rritje. Ata mund të kenë bërë premtime të tepërta, shkruan The Economist

Sistemi ligjor që vepron në Emiratet e Bashkuara Arabe, si në shumë shtete në Gjirin Persik është një përzierje e ligjit civil francez dhe ligjit islamik të Sheriatit.

Por këtë verë, Dubai njoftoi se po shqyrtonte si mundësi të miratonte ligjin e përbashkët anglez në 26 zona të tregtisë së lirë. Këto janë juridiksione të përjashtuara nga taksat dhe detyrimet doganore vendase dhe kanë sistemet dhe gjykatat e tyre ligjore të pavarura.

Ky lloj ligji po përhapet gjithnjë e më tepër në rajon, duke reflektuar besimin se tradita ligjore e Anglosferës është më e mirë për biznesin.

Një ide e tillë është përhapur së pari nga Friedrich Hayek. Pesëdhjetë vite më parë, ekonomisti dhe filozofi i cili ka fituar çmimin “Nobel”, botoi vëllimin e parë të librit, “Ligji, legjislacioni dhe liria”.

Aty ai argumentoi se qasja e së drejtës së zakonshme, është më e përshtatshme për lirinë tregtare se qasja homologe e së drejtës civile. Më vonë, në vitet 1990, idetë e Hayek frymëzuan “teorinë e origjinës ligjore”, e cila tregoi me argumente empirike dhe teorike se me të vërtetë, common law është më i mirë për ekonominë.

Kjo teori ka pasur shumë ndikim dhe ka shkaktuar shumë polemika, duke çuar në reforma gjithëpërfshirëse në shtetet e së drejtës civile në mbarë botën. 

Tradita e common law (ligjit të zakonshëm) u shfaq në Angli. Sipas rregullave të tij, sistemi gjyqësor duhet mbështetur në parimet e vendosura nga gjyqtarët në rastet e mëparshme, të cilat më pas duhet të jenë të detyrueshme për ato të ardhshmet. Kjo e vendos praktikën gjyqësore në baza të barabarta me legjislacionin.

Në të kundërt, tradita e së drejtës civile e ka origjinën në Kodin e Napoleonit, një sistem ligjor që u krijua në Francë nën drejtimin e Napoleon Bonapartit. Ky sistem e kufizon si pavarësinë, ashtu edhe diskrecionin e sistemit gjyqësor, duke e nënshtruar atë ndaj legjislativit.

Qasja e Anglisë u përhap në të gjithë botën nga perandoria britanike dhe përdoret nga sistemet ligjore të rreth 80 shteteve, duke përfshirë Amerikën. Kodi i Napoleonit u përhap fillimisht në të gjithë Europën nga pushtimet franceze gjatë Luftërave Napoleonike dhe më pas në të gjithë botën nga perandoria franceze.

Kina, Japonia, Koreja e Jugut dhe Tajvani i mbështetën sistemet e tyre ligjore moderne në qasjen e Gjermanisë, e cila mbështetet gjithashtu në ligjin civil. Në total, traditat e së drejtës civile që buruan në Francë përdoren sot në sistemet ligjore të rreth 150 shteteve, duke përfshirë rreth 30 sisteme të përziera.

Hayek argumentoi se “ligji i zakonshëm” anglez është një themel më i mirë për një sistem ligjor sesa e drejta civile, për të njëjtën arsye pse tregjet janë një themel më i mirë për një ekonomi, sesa planifikimi qendror. Një sistem gjyqësor i decentralizuar ka qasje në “njohuri lokale” (hollësitë dhe veçoritë e çështjeve aktuale ligjore), që një legjislaturë e centralizuar nuk e ka.

Kjo mund të krahasohet me faktin se një kasap, një prodhues i birrës dhe një bukëpjekës, e dinë më mirë se çfarë mallrash duhet të prodhojnë, në çfarë sasie dhe me çfarë çmimi tregu, sesa një grup burokratësh me qëllime të mira. Një sistem ligjor i mbështetur në praktikën e mëparshme gjyqësore i lejon gjyqtarët të përshtasin trupin e ligjit me rrethanat e botës reale.

Versioni më i mirë

Argumentet e paraqitura nga Hayek kishin të bënin kryesisht me aftësinë e ligjit për të mbrojtur lirinë individuale, por ato zbatohen edhe për aftësinë e tij për të nxitur rritjen ekonomike.

Njëzetepesë vite më parë, në një studim historik në “Journal of Political Economy”, Andrei Shleifer, Rafael La Porta dhe Florencio Lopez-de-Silanes, në Universitetin e Harvardit, si dhe Robert Vishny në Universitetin e Çikagos, përdorën të dhëna nga 49 shtete për të treguar se të drejtat e investitorëve mbrohen më mirë nga shtetet me versionin ligjor anglez common law.

Gazeta tregoi besim në idetë e Hayek dhe nisi një sërë kërkimesh mbi marrëdhëniet midis origjinës ligjore dhe ekonomisë.

Në tre dokumente pasuese, Simeon Djankov, ekonomist i Bankës Botërore, duke punuar me zotërinjtë Shleifer, La Porta dhe Lopez-de-Silanes, përdori të dhëna nga më shumë se 100 shtete për të vënë në dukje ndikimin e origjinës ligjore në rreptësinë e ligjeve rregullatore të firmave startup, të mbrojtjes së punës dhe efikasitetit të zbatimit të kontratave.

“Ne zbuluam se ligjet rregullatore janë më pak të mundshme dhe zbatimi i kontratave është më efikas në juridiksionet me common law”, thotë zoti Shleifer. Dallimi ishte edhe më i mprehtë në pengesat me të cilat përballeshin sipërmarrësit.

Numri i formularëve që duheshin plotësuar dhe ditët e punës që nevojiteshin për të përpunuar një aplikim, si dhe kostoja e tarifave administrative, ishin të gjitha më të larta në juridiksionet e së drejtës civile.

Në vitin 2001, Paul Mahoney në Universitetin e Virxhinias analizoi të dhëna nga e gjithë bota dhe zbuloi se, në tri dekadat deri në vitin 1992, PBB-ja për frymë ishte rritur me 0.7 pikë përqindje në vit më ngadalë, në vendet e ligjit civil, sesa në vendet homologe me versionin common law.

Këto gjetje ishin me ndikim, veçanërisht në institucionet shumëpalëshe. Treguesi i Lehtësisë së të Kryerit Biznes nga Banka Botërore u formua nga teoria e origjinës ligjore. Zoti Djankov ka qenë një nga themeluesit e kësaj nisme. Në dekadën deri në vitin 2020, u publikuan më shumë se 400 studime duke përdorur të dhëna nga ky tregues.

Udhëheqës të ndryshëm, duke përfshirë Emmanuel Macron të Francës, Angela Merkel të Gjermanisë dhe Abe Shinzo të Japonisë, caktuan si synim ngritjen në renditje të vendeve të tyre. Si pasojë, ka pasur një valë reformash në shtetet e së drejtës civile, të cilat zakonisht renditeshin më poshtë.

Siç vë në dukje zoti Djankov, ka pasur “një konvergjencë dramatike ndërkombëtare në rregulla dhe rregullore, me standardin e së drejtës së zakonshme”.

A ka nxitur kjo një rritje ekonomike? Ndoshta jo. Studimet më të fundit kanë zbehur entuziazmin në teorinë e origjinës ligjore, thotë Holger Spamann nga Universiteti i Harvardit. Studiuesit që shqyrtojnë një gamë më të gjerë faktorësh të koklavitur kanë zbuluar se tradita ligjore e një shteti ka efekt në perspektivat e tij ekonomike, por ky efekt nuk është aq i fortë sa ç’tregonin studimet fillestare.

Për më tepër, disa ekonomistë argumentojnë se traditat ligjore përzihen me praktikat e trashëgimive krejtësisht të ndryshme, si ato që lidhen me të shkuarën koloniale ose qëndrimet kulturore. Pra, sipas kësaj logjike, kalimi nga një qasje e së drejtës civile, në një qasje të “ligjit të zakonshëm”, nuk ka gjasa t’ia vlejë barra qiranë për vende si Dubai.

Sidoqoftë, një ndërrim i tillë sistemi mund të ketë qenë përkohësisht me vlerë në një epokë më të hershme, por për arsye të gabuara. Përpara se të ndërpritej në vitin 2021, kur stafi i Bankës Botërore u akuzua se kishte manipuluar disa të dhëna për shkak të trysnisë nga Kina, Treguesi i Lehtësisë së të Kryerit Biznes i bëri vendet e ligjit civil, të dukeshin më pak tërheqëse për investitorët e huaj.

Pra, për njëfarë kohe, teoria e origjinës ligjore mund të ketë çuar me të vërtetë në rritje më të shpejtë ekonomike, thjesht sepse hamendësohej se do të çonte në rritje më të shpejtë ekonomike. /Monitor.al/

Abonohuni

━ artikuj të ngjashëm

7 Arsye pse ndryshimi mund të dështojë | Si ndryshimi shkon keq

Ka shumë gjëra që duhen bërë siç duhet që ndryshimi të ketë sukses. Nga përfshirja e njerëzve deri te përmbushja e angazhimit për ndryshim. Por identifikimi...
spot_img