Zëvendësministri i Ekonomisë, Getoar Mjeku, ka marrë pjesë në Samitin Ndërkombëtar të Ministrave të Minierave në Toronto të Kanadasë.
Ndërlidhur me temën e sivjetme “Minierat e përgjegjshme dhe tranzicioni energjetik”, Zëvendësministri Mjeku foli mbi përkushtimin e Republikës së Kosovës për burimet e pasura minerare, të cilat i posedon vendi ynë dhe ftoi investitorët që investojnë në këto burime.
Zëvendësministri Mjeku tha se Qeveria e Kosovës si synim ka nxitjen e efiçiencës së energjisë, ekonominë qarkore, përgjegjësinë mjedisore, shoqërore dhe qeverisëse.
Ai shtoi se shtetet duhet të këmbejnë përvojat dhe të përsosin bashkë standardet ndërkombëtare të sektorit minerar, ndërsa theksoi nevojën për t’i dhënë përparësi tregtisë me vende partnere që ushqejnë të njëjtat vlera demokratike.
Fjalën hyrëse të samitit e mbajti ministri i Energjisë dhe Burimeve Natyrore të Kanadasë, Jonathan Wilkinson, ndërsa diskutimet i moderoi ish-ministri, Brian Tobin.
Në këtë samit morën pjesë ministra e përfaqësues nga 22 vende, si nga Bashkimi Evropian, ShBA, Kosova, Argjentina, Australia, Finlanda, Franca, Gana, Gjermania, Kazakistani, Kili, Mongolia, Norvegjia, Peruja e vende të tjera.
Në Samitin Ndërkombëtar të Ministrave të Minierave kanë marrë pjesë edhe kompani të mëdha shumëkombëshe dhe shoqata joqeveritare, të cilat paraqitën gjithashtu vërejtjet e tyre rreth sfidave mjedisore e shoqërore në sektorin minerar.
Ky samit njihet si ngjarja më e madhe e minierave në botë dhe mbahet çdo vit. Këtë vit është mbajtur nën organizimin e Shoqatës së Hulumtuesve dhe Zhvilluesve të Minierave të Kanadasë (PDAC), Forumi Ndërqeveritar mbi Minierat, Mineralet, Metalet dhe Zhvillimin e Qëndrueshëm, si dhe Forumi Ekonomik Botëror.