-3.4 C
Pristina
spot_img

“Inatet politike” bllokojnë miliona euro investime

Date:

Share:

Nga inatet politike është duke pësuar mirëqenia e qytetarëve të Kosovës.

Këtë vlerësim japin përfaqësues të shoqërisë civile teksa komentojnë bllokimin e së paku shtatë marrëveshjeve ndërkombëtare në Kuvendin e Kosovës.

“Pasojat lidhen direkt me interesin e qytetarëve, pasi shumica e marrëveshjeve janë kredi për financimin e projekteve, të cilat nëse zbatohen në praktikë, mund ta përmirësojnë mirëqenien e qytetarëve në disa fusha”, thotë për Radion Evropa e Lirë Violeta Haxholli, nga Instituti Demokratik i Kosovës.

Marrëveshjet që nuk kaluan në seancat e 4 dhe 5 tetorit, kanë të bëjnë, mes tjerash, me kredi për zhvillimin e sektorit të energjisë, të linjave hekurudhore dhe të ngrohjes, si dhe me bursa për studentë. Interes kryesor duhet të jetë mirëqenia e qytetarëve”.

Me ligjin në Kosovë, marrëveshjet ndërkombëtare mund të ratifikohen vetëm me votat e 2/3 së deputetëve – përkatësisht të 80 nga 120 sa ka Kuvendi i Kosovës.

Por, shumë deputetë të partive opozitare – pa votat e të cilëve s’mund të arrihet shumica – janë zotuar se nuk do të votojnë asnjë të tillë, derisa vendi nuk shkon në zgjedhje të reja.

Ata nuk kanë problem me përmbajtjen e marrëveshjeve, por kundërshtojnë politikat e Qeverisë së udhëhequr nga Lëvizja Vetëvendosje.

Haxholli, nga Instituti Demokratik i Kosovës, i cili monitoron punën e Kuvendit të Kosovës, thotë se marrëveshjet që nuk kaluan javën e kaluar, kanë qenë në rend dite në 28 seanca të Kuvendit që nga muaji prill.

Mosmiratimi i tyre prek direkt jetën e qytetarëve, thonë edhe në organizatën joqeveritare, Lëvizja Fol.

“Kjo duhet të merret parasysh nga partitë në Kuvend. Interes kryesor duhet të jetë mirëqenia e qytetarëve”, thotë Mexhide Demolli, drejtoreshë ekzekutive e kësaj lëvizjeje.

Çka përmbajnë shtatë marrëveshjet në fjalë?

Marrëveshjet së bashku me vlerësimin e ndikimit financiar janë të publikuara në faqen zyrtare të Kuvendit të Kosovës.

Një nga to është Marrëveshja e Kredisë për Programin e Financave Publike dhe Rritjes Ekonomike ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Fondit OPEC për Zhvillim Ndërkombëtar.

Me vlerë prej 40 milionë dollarësh, marrëveshja parasheh mbështetje të drejtpërdrejtë për buxhetin e Kosovës, që do shfrytëzohej për zhvillimin e sektorit privat.

Tjetër është Marrëveshja mes Ministrisë së Arsimit të Kosovës dhe Ambasadës së Francës në Prishtinë, në vlerë prej 4.6 milionë eurosh. Qëllim i saj është lëvizja e studentëve të arsimit të lartë dhe ndarja e bursave për ta.

Ndërtimi i një impianti solar dhe zgjerimi i rrjetit të ngrohtores për qytetin e Prishtinës presin ratifikimin e Marrëveshjes për Kredi në mes të Republikës së Kosovës dhe Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim. Vlera e kredisë do të ishte 23 milionë euro.

Marrëveshja tjetër mes Kosovës dhe Bankës gjermane KFW, në vlerë prej 25.5 milionë eurosh, do të shfrytëzohej nga Operatori i Sistemit të Transmisionit të Tregut (KOSTT), me qëllim zgjerimin dhe modernizimin e rrjetit të transmetimit të energjisë elektrike.

Marrëveshja me Bankën Evropiane për Investime për projektin “Rehabilitimi i linjës hekurudhore” kap vlerën e 38 milionë eurove.

Mbi 20 milionë euro për sektorin e bujqësisë në zonat rurale të Kosovës parasheh Marrëveshja mes Ministrisë së Bujqësisë dhe Agjencisë gjermane për Bashkëpunim Ndërkombëtar (GIZ).

Dhe – e fundit në këtë grup – Marrëveshja mes Qeverisë së Kosovës dhe Mbretërisë se Danimarkës për shfrytëzimin e institucionit korrektues në Gjilan do të siguronte të ardhura buxhetore prej 177.5 milionë eurosh – prej tyre 27.5 milionë euro si grant për investime në energji të ripërtërishme.

Çfarë thonë partitë opozitare?

Partia Demokratike e Kosovës – subjekti më i madh opozitar – ka marrë qëndrim që të mos votojë ligje dhe marrëveshje ndërkombëtare, derisa Qeveria aktuale, e udhëhequr nga Albin Kurti, është në pushtet.

Ferat Shala, nga kjo parti, fajëson pushtetin për, siç thotë, keqmenaxhim të buxhetit dhe mosbashkëpunim me aleatët ndërkombëtarë.

Duke folur për Radion Evropa e Lirë, Shala thotë se u referohet keqpërdorimeve të dyshuara me Rezervat Shtetërore dhe thirrjeve të padëgjuara të Qeverisë së Kosovës për të shtensionuar situatën në veri – zonë e banuar me shumicë serbe.

“Në esencë, ne jemi pro kredive, jemi pro partnerëve që na kanë subvencionuar, jemi pro bashkëpunimit dhe thellimit, por me një qasje dhe menaxhim ndryshe nga partia në pushtet”, thotë Shala, partia e të cilit numëron 18 deputetë në Kuvendin e Kosovës.

Nga Lidhja Demokratike e Kosovës, e cila ka 16 deputetë në Kuvend, thonë se nuk pajtohen me shumë veprime të Qeverisë, por sa u përket marrëveshjeve ndërkombëtare, kundërshtojnë vetëm votimin e njërës – asaj me Fondin OPEC.

Pa dhënë shumë hollësi, deputeti i kësaj partie thotë se “qasja e gabueshme e partisë në pushtet, Lëvizjes Vetëvendosje, po sjell dështimin e miratimit të marrëveshjeve”.

Time Kadriaj, nga partia tjetër opozitare, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, thotë se as ky subjekt, që ka tetë deputetë, nuk do të votojë marrëveshje ndërkombëtare derisa të jetë në pushtet Qeveria Kurti.

“Votojmë nëse ka ndonjë reflektim edhe nga ana e mazhorancës”, thotë Kadriaj, duke shtuar se partia e saj ka dalë me disa iniciativa – përfshirë rritjen e koeficientit të pagës për punonjësit e sektorit publik – që nuk janë përkrahur nga pushteti.

Duke folur për këtë çështje më 5 tetor, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se nga mosmiratimi i marrëveshjeve ndërkombëtare, pësojnë qytetarët.

“Vlera e tyre tejkalon shifrën prej 360 milionë eurosh. Janë kredi të buta, grante, para falë, që nuk duhet të kthehen fare dhe do të investoheshin në projekte zhvillimore”, ka thënë ai.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, ka thënë në seancën e 4 tetorit se, nëse një legjislaturë nuk e ka kapacitetin të kalojë marrëveshje ndërkombëtare, ajo nuk ia vlen të ekzistojë.

Radio Evropa e Lirë pyeti Zyrën për Informim të Kuvendit të Kosovës se cilët do të jenë hapat e mëtutjeshëm apo pasojat nga mosmiratimi i këtyre marrëveshjeve, por nuk mori përgjigje.

E kujt është përgjegjësia?

Haxholli, nga Instituti Demokratik i Kosovës, thotë se partitë politike në opozitë nuk kanë vërejtje për përmbajtjen e marrëveshjeve, por vetëm “inate të tjera politike”.
Sipas saj, edhe pushteti duhet të angazhohet më shumë për të gjetur një konsensus.

“Ne e dimë që gjithmonë ka mospajtime në mes të pushtetit dhe opozitës. Natyrisht se përgjegjësinë për konsensus e ka partia në pushtet, e cila duhet t’iu prijë përpjekjeve për të gjetur zgjidhje, pasi ka përgjegjësinë kryesore për efikasitet në qeverisje”, thotë Haxholli.

Demolli, nga Lëvizja Fol, thotë se përgjegjësia bie mbi të dyja palët.

“Kjo duhet të zgjidhet, sepse votuesit, qytetarët duan investime, si në energji, punësim dhe sektorë të tjerë”, thotë ajo.

Nga viti 2021 kur është formuar, përbërja aktuale parlamentare ka miratuar 45 marrëveshje ndërkombëtare në fusha të ndryshme, thuhet në faqen zyrtare të Kuvendit të Kosovës.

Kritikat e opozitës ndaj pushtetit janë shpeshtuar kohëve të fundit, qoftë për menaxhimin e krizave në veri apo për qasjen në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë./REL/

Abonohuni

━ artikuj të ngjashëm

spot_img