Lansohet edicioni i dytë i inkubatorit të bizneseve start-up “Idea-to-Scale”, pas përfundimit të suksesshëm të edicionit të parë, gjatë 12 muajve të kaluar.
Ky program zbatohet nga Makerspace Innovation Center në ITP Prizren, në kuadër të Digital Transformation Center dhe përkrahet nga GIZ Kosovo, Komuna e Prizrenit, Swiss EP dhe ka për qëllim mbështetjen e të rinjve me ide kreative.
Në ceremoninë e nënshkrimit, të pranishëm ishin kryetari i Prizrenit, Shaqir Totaj, udhëheqësi i Digital Transformation Center, Simon Floeth, përfaqësuesja e Swiss EP, Arta Istrefi Jahja dhe ekipe start-up nga edicioni i parë, studentë e ndërmarrës nga Prizreni.
“Natyrisht për komunën është e paimagjinueshme se si të mos e përkrahim një projekt të tillë. Jemi me fat që e kemi një grup të njerëzve entuziastë, inovativë dhe kreativë. Gjithashtu jemi me fat që kemi ITP këtu në Prizren dhe ky bashkëpunim i yni jo vetëm se do të vazhdojë, por do të rritet, duke u bazuar në interesat e të gjithë pjesëmarrësve. Kështu, komuna do të jetë gjithmonë pjesëmarrëse aty ku synim janë të rinjtë dhe përgatitja e tyre për tregun e punës në të ardhmen”, tha kryetari Totaj.
Me këtë rast, drejtori ekzekutiv i Makerspace Innovation Center, Enis Qafëleshi prezantoi punën 12-muajshe në zbatimin e edicionit të parë duke u shprehur se organizata që përfaqëson po bashkëpunon me partnerët e saj në zbatimin sa më të mirë.
“Interesimi i madh i të rinjve nga rajoni i Prizrenit për të aplikuar dhe përkushtimi i 10 grupeve të para të pranuar gjatë sesioneve të trajnimit dhe mentorit, na bën shumë optimist se edicioni i dytë do të jetë edhe më masovik e me interes të veçantë. Një falënderim i veçantë shkon për kryetarin Totaj, GIZ Kosovo, ITP Prizren, Digital Transformation Center dhe Swiss EP për bashkëpunimin dhe mbështetjen e vazhdueshme”, ka thënë Qafleshi.
Një fjalë rasti patën edhe udhëheqësi i Digital Transformation Center nën ITP Prizren, Simon Floeth, i cili theksoi rëndësinë e Programit për të nxitur inovacionin dhe edukimin brenda parkut ITP, duke i dhënë fokus të veçantë ndërmarrësve digjital.
Programi përfaqëson një pjesë të rëndësishme të ofrimit të Digital Transformation Center në ITP Prizren për ndërtimin e një ekosistemi digjital të mirëfilltë, duke qenë një “One-Stop Shop” për të gjitha proceset digjitale.
“Idea-to-Scale është pjesë e kësaj qendre nën Shtyllën e Ndërmarrësisë, e cila është e fokusuar në ofrimin e mbështetjes së plotë për kompanitë e TIK-ut dhe të start-up bizneseve përgjatë fazave të ndryshme të zhvillimit të tyre.
Arta Istrefi nga Swiss EP ka shprehur kënaqësinë e bashkëpunimit me Makerspace Innovation Center, duke përmendur se po ndërtohet një bazë mjaft e mirë për ndërmarrësinë në Prizren.
Programi synon nxitjen, frymëzimin dhe edukimin e individëve në krijimin dhe sjelljen në jetë të idesë së tyre të biznesit duke inkurajuar frymë dhe kulturë ndërmarrësie në qytetin e Prizrenit, derisa përparësi në këtë edicion do të kenë ndërmarrëset gra dhe vajza që dëshirojnë të jenë pjesë e një programi gjithëpërfshirës.
Inkubatori “Idea-to-Scale” – në thirrjen e dytë do të ndjekë një sërë aktivitetesh të gërshetuara dhe do t’ju shërbejë start-up bizneseve si udhërrëfyese në rrugëtimin e tyre drejt rritjes, zhvillimit, ngritjes së kapaciteteve, e edukimit dhe hyrjes në treg.
Në këtë ngjarje u prezantuan detajet e përfitimet që i sjellë ky program, me ç’rast u hap edhe thirrja për pranimin e aplikimeve të reja.