Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli sot ishte pjesëmarrëse në hapjen e Konfrencës së Teknologjisë “KosICT”, organizuar nga Shoqata e Teknologjisë, Informacionit dhe Komunikimit në Kosovë (STIKK), me theks në temën “Zbuloni kufijtë e rinj”.
Ministrja Rizvanolli tregoi entuziazmin e saj të të qenit përballë një fuqie inovacioni e krijimtarie dhe siç u shpreh ajo që si Ministre e Ekonomisë dëshira e saj është një fuqi e ekonomisë digjitale.
Në fjalën e saj të rastit, Ministrja Rizvanolli tha se në këtë epokë digjitale në të cilën po jetojmë, zhvillimi ekonomik është i lidhur ngushtë me avancimin teknologjik dhe si Qeveri, jemi të përkushtuar që të investojmë, mbështesim dhe përforcojmë rolin e sektorit të TIK-ut në përparimin e Kosovës.
Si të tillë, ajo tregoi se si ministri ka punuar në; zhvillimin e fuqisë punëtore përmes trajnimeve në programimin Java, Sigurinë Kibernetike, Zhvillimin e Uebit, Python, Big Data, Inteligjencën Artificiale dhe Mësimin e Makinerisë. Më pas, në zhvillimin e infrastrukturës duke arritur mbulimin 100% të Kosovës me internet broadband si dhe lansimin e Rrjetit Kosovar të Kërkimit dhe Edukimit, duke përfshirë qendrën tonë të ekselencës digjitale, laboratorët e printimit 3D dhe qendrën e të dhënave si dhe kemi ndërtuar Sistemin Kombëtar që Monitoron Frekuencat në të gjithë vendin tonë.
Tutje nga ministrja Rizvanolli u potencua qartë se fokusi kryesor është në kultivimin e një mjedisi ku çdo anëtar ekzistues aspirues i sektorit të TIK-ut mbështetet dhe fuqizohet
Ndërkaq, Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti theksoi se digjitalizimi mbetet prioritet i lartë i Qeverisë së Republikës së Kosovës duke e cilësuar si një ngjarje të madhe Konferencën e Teknologjisë “KosICT”.
“Deri në fund të vitit 2025, investimet në e-qeverisje, e-shëndet, digjitalizim në arsim dhe siguri kibernetike në Kosovë do të kalojnë vlerën e 80 milionë euro. Në bazë të dokumenteve strategjike që kemi plotësuar, deri në vitin 2027 kjo shifër pritet të arrijë në 130 milionë euro”, shtoi kryeministri Kurti.
Ministria e Ekonomisë është një ndër mbështetëset e sektorit të TIK-ut duke financuar edhe Konferencën e Teknologjisë “KosICT 2023″ në vlerë prej 5000 euro.
Për të gjithë të interesuarit, nga data 13 deri më 14 tetor 2023, festivali “KosICT” do të mbajë aktivitete me diskutime, ide dhe mundësi për rrjetëzim, gjersa fokusi do të jetë rreth tri temave: Inteligjenca Artificiale, Siguria Kibernetike dhe Transformimi Digjital.